Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar dje spitalin ku kanë lindur trenjakët e parë të vitit, me ftesë të nënës së re, Fjolla Ibrahimi Starabaja.
Osmani pas vizitës ka theksuar rëndësinë e familjes si vlerë e fortë e shoqërisë, duke vlerësuar njëkohësisht përkushtimin e personelit mjekësor në kujdesin ndaj foshnjave dhe nënave.
“Në atë dhomë kishte dashuri, forcë dhe përkushtim. Përveç trenjakëve, aty ndodheshin edhe dy foshnja të tjera, nënat e të cilave kishin lindur për herë të tretë, duke dëshmuar se familja mbetet vlera më e fortë e shoqërisë sonë. Trenjakët po rriten të rrethuar nga dashuria e pakushtëzuar e nënës dhe familjes, si dhe nga përkujdesja maksimale dhe profesionale e personelit mjekësor, të cilët çdo ditë japin më të mirën për jetët më të reja mes nesh”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E para e shtetit ka theksuar gjithashtu se dashuria dhe kujdesi i pakushtëzuar i familjes, në bashkëpunim me profesionalizmin e personelit mjekësor, janë faktorë kyç për rritjen e shëndetshme të fëmijëve dhe zhvillimin e shoqërisë.
“Çdo lindje është një investim për të ardhmen tonë të përbashkët. Prandaj, është me rëndësi që mbështetja për nënat, fëmijët dhe familjet të vazhdojë. Uroj që këta fëmijë të rriten me shëndet, dashuri dhe siguri, e që çdo nënë të ndihet e mbështetur, e respektuar dhe e vlerësuar”, ka shkruar Osmani.






