Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët e vendit për Vitin e Ri, duke thënë se viti që po lëmë pas ishte dëshmi e qëndrueshmërisë kundrejt sfidave.
Në urimin e saj, Osmani ka thënë se viti i ri është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin për të qenë më mirë se në vitin e mëparshëm.
“Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zmbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë”, është shprehur ajo.
Ajo më tej ka falënderuar në veçanti ata që në këtë natë të ndërrimit të viteve, kujdesen për shëndetin dhe sigurinë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës.
“Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat. Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë”, ka thënë më tej Osmani.