Në fjalimin e saj, zonja Osmani, para të pranishmëve, u lavdërua gjatë për ndërtimin e demorkacisë në Kosovë, duke numëruar raportet ndërkombëtare. Madje, Osmani tha se Kosova është një fanar i demokracisë në regjion.
“Kosova është një republikë shumë e re, sepse sapo ka mbushur 15 vite. Por është një fanar i vërtetë i demokracisë dhe një shembull ndriçues i ndërtimit demokratik, po ashtu edhe të shtetndërtimit.” – deklaroi Osmani para studentëve në Universitetin e Kalabrisë, duke e përmendur edhe pjesëmarrjen në Samitin e Demokracisë, një iniciativë të presidentit të ShBA-së, Joe Biden.
Tutje, Osmani e solli në vëmendje Kosovën si një mishërim i arritjeve të demorkacisë në botë. Sigurisht, Osmani përmendi edhe liritë e të drejtat e njeriut, për të cilat Kosova, sipas saj, ka bërë progres të madh në dy vitet e fundit.
“Por më e rëndësishmja, çka Kosova tregon sot, gati 25 vite pas çlirimit të saj dhe më shumë se 15 vite të pavarësimit të saj, është mishërimin e madh çfarë demokracitë mund të mbërrijnë kur qëndrojnë bashkë kundër tiranive e regjimeve gjenocidale, dhe, në anën tjetër, qendrojnë për liri, për të drejtat njeriut dhe po ashtu për paqe” – deklaroi Osmani.
Ironia e fjalëve…
Fjalimi i Osmanit do të ishte për t’u duartrokitur, nëse e dekontekstualizojmë situatën aktuale në Kosovë. Dy ditë më parë, një gazetar i njohur, pra Valon Syla, është sulmuar brutalisht nga tre persona, të cilat tashmë janë arrestuar.
Për sulmin ndaj Sylës, kanë reaguar pothuajse të gjithë, nga zyrtarë të lartë shtetërorë, politikanë, aktivistë e analistë, duke e dënuar sulmin në terma të rëndë. E vetmja prej krerëve të Kosovës që nuk ka reaguar ende është zonja Osmani, e cila ka zgjedhur çuditërisht të hesht për sulmin fizik mbi Sylën.
Siç shkroi orë më parë Nacionale, heshtja e Osmanit ka edhe domëthënie politike, për shkak të komenteve të burrit të saj, Prindon Sadriu, e shefit të kabinetit të saj, Blerim Vela, të cilët goditën në disa raste mediet me gjuhë të papranueshme.
Përveç domëthënies politike, duket të ketë edhe një arsye personale prapa heshtjes së presidentes Osmani. Kjo pasi, Syla në vazhdimësi e ka kritikuar rëndë presidenten Osmani, duke ia theksuar moskonsistencën e saj politike, por edhe duke ia përmendur dyshimet për punësimet e familjarëve të saj.
“Ajo është edhe presidentja ime,” – tha z. Syla mes tjerash.
Përkundër shpresës që Osmani do ta dënonte sulmin ndaj tij gjatë ditës së enjte, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, ndonëse ka edhe 3 orë deri në përfundim të datës 13 prill.
Kutjojmë që krahas mungesës së reagimit të Osmanit, për sulmin ndaj Sylës nuk ka folur as Bashkësia Islame e Kosovës. Ndryshe, sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës.” – ka thënë Kurti.