Presidentja Vjosa Osmani në një diskutim në Universitetin Johns Hopkins në Washington D.C. tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i thjeshtë sesa i Ukrainës.
Duke argumentuar pse Kosova duhet të jetë anëtare e Aleancës, Osmani tha se këtë do ta mund bënte të mundur presidenti amerikan, Donald Trump bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, raporton Gazeta Express.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aq kompleks sa anëtarësimi i Ukrainës Është më i thjeshtë se i Ukrainës në kuptimin që SHBA të thotë se kjo duhet të ndodhë sepse është aleati më i madh dhe më i fortë i NATO-s”.
Për sekretari e tanishëm të NATO-s, Osmani tha se “është shumë në sinkron me presidentin e SHBA-së dhe nëse kjo dyshe do që kjo të ndodhë ata mund t’i bindin pesë shtetet mosnjohëse”.
Osmani tha se më shumë përpjekje atyre do t’i duheshin me Spanjën, Rumaninë e Sllovakinë, ndërsa për Greqinë tha se s’ka qenë asnjëherë bllokuese në raport me Kosovën.
Ajo tha se anëtarësimi i Kosovës duhet të bëhet edhe për qëllime strategjike, por gjithashtu edhe nëse shihet nga perspektiva ekonomike.
“Ju do ta keni një anëtar tjetër që kontribuon. Një anëtar që menjëherë do të rrisë [shpenzimet për mbrojtje] në 5% [të GDP-së]. Dhe kjo mendoj që është në interes të të gjitha shteteve”.