Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të mandatit të saj rikonfirmimin e njohjeve nga rreth 20 shtete, për të cilat Serbia kishte pretenduar se e kanë çnjohur Kosovën.
Në një intervistë me Shkëlzen Gashin në emisionin Nerv, Osmani tha se “kemi arritur që të rikthejmë rreth 20 çnjohje të pretenduara”, duke theksuar se e Drejta Ndërkombëtare nuk njeh konceptin e çnjohjes së shteteve.
Sipas saj, deklarimet për tërheqjen e njohjeve i kanë shkaktuar Kosovës dëm serioz “si në imazh, ashtu edhe në parandalimin e njohjeve të reja dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.
Presidentja shtoi se gjatë pesë viteve të mandatit të saj Presidenca është marrë me të gjitha pretendimet për çnjohje, duke nënvizuar se “i kemi rikonfirmuar dhe betonuar të gjitha”. Ajo bëri të ditur se vetëm nga një shtet ende nuk ka përgjigje zyrtare, pa e përmendur emrin e tij.






