Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se e ka falënderuar homologun e saj për përkrahjen e vazhdueshme që Guinea Bissau i jep Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Gjithnjë kënaqësi takimi me mikun e Kosovës, Presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se takimi ishte i përqendruar në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Në takimin e sotëm në selinë e OKB, e falënderova Presidentin Embalo për përkrahjen e tij për Kosovën, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë si dhe për përkushtimin për ta rritur bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.