Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar dje me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Marcos Perestrello.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Dje takova Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Marcos Perestrello.
E falënderova për nominimin e tij për Çmimin per ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’ si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që të më ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht është edhe vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës.
Diskutuam për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit tonë në anëtare të asociuar – një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë euroatlantik.
Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare.