Presidentja Vjosa Osmani, shpreson se të martën do të konstituohet Kuvendi i Kosovës e të zgjedhet qeveria pasi sipas saj, vendit i duhen të ecë më shpejtë me çështjet e rëndësishme.
Njëra nga to sipas Presidentes Osmani, është tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën ajo ka kërkuar që të hiqet sa më shpejtë. Kjo çështje u përcoll me “përplasje” mes qeverisë në largim dhe presidentes.
“Shpresoj shumë që me 15 prill të kemi konstituim të Kuvendit, zgjedhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës që menjëherë të fillojmë me punët e rëndësishme për vendin tonë. Unë e përmenda çështjen e tarifës që është një nga temat e mëdha me te cilat do të duhej të merrej Kuvendi menjëherë. Mirëpo kemi një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare të cilat nëse i kalojmë në Kuvend si Kosovë, unë nuk jam aty në kuvend që të votoj, por iu bëjë thirrje partive që ta bëjnë këtë gjë sepse Kosova mbeti peng në qasjen, në planin e rritjes së Bashkimit Evropian nga e cila po përfitojnë edhe Shqipëria edhe shtete tjera”, tha Presidentja Osmani në intervistën ekskluzive për Rubikon.
Osmani deklaroi se edhe procesin e votimit në Këshillin e Evropës, shumë shtete mund ta lidhin me qeverinë e re por një gjë e tillë nuk ka bazë. Sipas saj një marrëveshje e tillë nuk ka nevojë për ratifikim.
“Këshilli i Evropës siç e dini votimi është në maj dhe ka shtet të cilat duan ta lidhin me votimin e një qeverie të re. Tani në aspektin Kushtetues nuk nevojë të lidhet një gjë e tillë sepse siç e dini kompetencat e qeverisë nuk janë të limituara, ne nuk kemi nevojë ta ratifikojmë atë marrëveshje në kuvend”, tha Osmani.
Ndërkaq sa i përket procesit të vendit për njohjet e reja Presidentja Osmani thotë se kjo nuk mund të bllokohet si shkak i mos krijimit të qeverisë së shpejti, pasi thotë se ky proces udhëhiqet nga institucioni që ajo e përfaqëson.
“Presidentja e udhëheqë politikën e jashtme, megjithatë shtetet kur duan të gjejnë ndonjë arsyetim për t`i pezulluar shumë procese të rëndësishme për ne edhe e bëjnë qofshin ato çështje ekonomike, qofshin procese të cilat kanë të bëjnë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Procesi i njohjeve nuk ndalet sepse si presidencë ne e bartim kryesisht komunikimin me shtete por megjithatë anëtarësimet, aplikimet e shumëçka tjetër natyrisht që mund të bartin pasoja kur nuk kemi institucione shpejtë, kështu që mbes me shpresë që ky proces të përfundoj shpejtë”, tha më tej Osmani.