Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës pa paga, e disa qytete pa buxhet, janë pasojat e mosmiratimit të buxhetit të ri dhe mos krijimit të qeverisë. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje, gjatë javëve të fundit ka bërë manovra në mënyrë që t’i fajësojë partitë e ish-opozitës, duke ftuar seanca parlamentare, nga njohësit e fushës, këto veprime të VV’së shihen të jashtëligjshme e kundërkushtetuese.
VV’ja ishte e vetme në këto veprime, por ditëve të fundit me qëndrimet e sa, Osmani, po vlerësohet se është rreshtuar me partinë e Kurtit, shkruan Gazeta Express.
Në këtë frymë u panë deklaratat e saj që fajësuan partitë e ish-opozitës, për mos miratimin e buxhetit për RTK’në, dhe komunat si Prishtina e Gjilani.
Osmani hapur ka argumentuar për këtë situatë si VV’ja, më saktësisht si Hekuran Murati dhe Glauk Konjufca, duke kujtuar votimin e buxhetit në Qeverinë Hoti. Konjufca për këtë foli gjatë seancën kur si i mandatuar dështoi të formonte qeverinë.
‘’Kam kërku nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tille e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, ka deklaruar Osmani dje.
Ndërsa fajin opozitës, Osmani ia hodhi në mënyrë indirekte duke thënë se ‘’kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhet’’, e ka pasur mundësinë ta votojë si pikë të ndarë.
“Qëllimisht i kam ftuar, një herë partitë politike dhe i kam lut: ‘’Ju lutem, para se ta shpërndaj kuvendin, kthehuni edhe njëherë në sallën e kuvendit. Unë ju pres këtu’’. Kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhet, ka pas mundësi që ta votojë si pikë të ndarë dhe ka pas mundësi që tjerat të mos i votojnë por atë ta votojnë’’, ka thënë ajo.
Ndaj deklaratave të Osmanit, kishte reaguar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Hasani, kishte vlerësuar se deklaratat e Osmanit s’janë në rolin e presidentes, porse të njëjtat janë në rolin e zëdhënëses së VV’së. Ai ka shtuar se ndihet i ‘’turpëruar’’ kur sheh Osmanin dhe jurist të tjerë që bëjnë deklarata të tilla duke shkelur ‘’me kaq paskrupullësi etikën bazike profesionale’’.
‘’Ajo mund t`i falet zëdhënësit të VV-së, por jo presidentes së Republikës. Për fat të keq, kur po e shoh atë dhe disa kolegë po turpërohem se njëkohësisht janë edhe juristë dhe janë do gjëra jashtëzakonisht elementare dhe po ndihem i turpëruar që me kaq paskrupullësi shkelin etiken bazike profesionale. Kjo periudhë do të mbahet mend për shumëçka. Po të ishte zëdhënëse e VV-së është në rregull. Se me thanë kështu, pasi e ka pas edhe të nënshkruar(dekretin për shpërndarjen e Kuvendit). Po edhe hiç mos me e pas është e qartë që shkohet me automatizëm në zgjedhje, në një nen tjetër atje i kallxon se kur bëhet shpërndarje e Kuvendit me automatizëm dhe ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e ka qëndis, që tregohet kur shkohet me automatizëm”, kishte thënë Hasani.
Reagim ndaj Osmanit për deklaratën e saj ka pasur edhe Albert Krasniqi nga D+. Ky i fundit ka vlerësuar se presidentja ‘‘po shfaq përfshirje të hapur në procesin zgjedhor, duke cenuar seriozisht rendin kushtetues’’.
Më tej, i njëjti ka deklaruar edhe se Osmani, është shfaqur haptazi në fushatë zgjedhore duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit.
‘’Më pas, Presidentja ndërhyri në rendin kushtetues të themelimit të institucioneve përmes letrave drejtuar Kryetarit të Kuvendit për formimin e komisioneve parlamentare – një praktikë e paprecedentë që synonte të mbështeste narrativat e partisë në pushtet dhe të ndikonte procesin politik përtej kompetencave të saj. Tani, ajo është shfaqur haptazi në fushatë zgjedhore duke fajësuar opozitën për bllokimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në fakt, kjo përbënte një thirrje të kamufluar për pajtueshmëri kolektive për shkeljen e Kushtetutës, duke zhvendosur fajin nga ata që e prodhuan krizën tek ata që refuzuan ta legjitimonin atë’’, ka shkruar ai.
Në fund, Krasniqi, i ka bërë thirrje Osmanit që të përmbahet nga çdo ndërhyrje në proceset zgjedhore dhe të përqendrohet në detyrimet e saj kushtetuese.
Ndryshe, për shkak të bllokimit të buxhetit të Prishtinës, linjat e autobusëve të Trafikut Urban e kanë pezulluar punën. Madje të njëjti, dje dhe sot kanë bërë protestë. Përderisa dje ata u shfaqën para objektit të komunës së Prishtinës e më pas edhe tek qeveria, sot ata kanë bllokuar rrugët duke vendosur autobusët.






