8.4 C
New York
Saturday, October 25, 2025

Buy now

Osmani s’e “llogarit” Kurtin, thotë se Kosova s’është e izoluar: Kam qenë pjesë e forumeve, kam vizituar shtete

- Advertisement -

Vjosa Osmani, presidente e vendit, i ka cilësuar si konstatime ‘’totalisht të gabuara’’, dhe të cilat ‘’s’kanë asnjë lidhje me realitetin’’, qëndrimet se Kosova është e izoluar. Përkundrazi, sipas Osmanit, Kosova gjatë pesë viteve të fundit i ka pasur ‘’dyert më të hapura’’ se në periudhat e kaluara.

Osmani si argument për këtë deklarim të saj, ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s.

‘’Ky është jo vetëm një konstatim totalisht i gabuar, por është një konstatim që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Dhe për dallim prej konstatimit tuaj se Kosova kinse qenka vend i izoluar që nuk keni fare argumente për një gjë të tillë, unë kam me mijëra pse Kosova në këto pesë vite ka pasur dyert më të hapura se sa gati në çdo periudhë tjetër përpara. Ma gjeni një periudhë tjetër, ku Kosova është ftuar në secilin forum ndërkombëtar. Unë si presidente, dhe udhëheqëse e politikës së jashtme nuk ka organizim ndërkombëtar, ku nuk kam qenë e ftuar për t’i dhënë zë Kosovës, dhe për ta përfaqësuar Kosovën, përfshirë edhe në Samitin e NATO-s, ku Kosova në histori nuk ka qenë më parë e ftuar.’’, ka thënë ajo.

Në planin ndërkombëtar Kosova po përballet me telashe të mëdha pasi tash e një kohë është nën sanksione të BE’së, ndërsa nga akterë ndërkombëtarë në vazhdimësi bëhen thirrje për deeskalim situatës.

Tutje, Osmani në intervistën dhënë për DW ka shtuar se Kosova s’mund të quhet shtet i izoluar, përderisa presidentja e vendit ka vizituar më shumë vende se çdo president paraprak. Kosova është demokraci parlamentare ky Kryeministri ka pushtetin ekzekutiv, ndërsa shefi i shtetit është më shumë ceremonial.

‘’Në qoftë se presidentja e Kosovës është në çdo forum, është në çdo shtet ka derën hapur ta takojë çdo lider të botës, si mund të quhet një vend që udhëhiqet nga një presidente ku është çdo kund në botë, dhe ka vizituar më shumë vende se çdo president paraprak, dhe ka hapur më shumë dyer se çdo president paraprak, dhe janë arritur më shumë marrëveshje se sa gati në çdo periudhë tjetër, përveç natyrisht s’po e krahasoj me vitin e shpalljes së pavarësisë ajo ka qenë periudhë tjetër historike. Në qoftë se ke çdo derë të hapur, në qoftë se ke besimin dhe përkushtimin e secilit shtetëror, si mund të quhet Kosova shtet i izoluar’’, ka shtuar ajo.

Osmani është deklaruar edhe për çështjen e dialogut strategjik, fillimin e e të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për shkak të qasjes së Qeverisë Kurti në raport me Veriun.

Për këtë, presidentja tha se SHBA-të e kanë bërë të qartë se ndërprerja e këtij planifikimit të këtij dialogu, ‘’nuk është kundër popullit të Kosovës’’ dhe se bashkëpunimi me të si presidente do të vazhdojë

‘’Sa i përket dialogut strategjik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë edhe në intervistë që ndërprerja e planifikimit të dialogut strategjik nuk është kundër popullit të Kosovës, dhe njëkohësisht kanë treguar publikisht që do ta vazhdojnë bashkëpunimin me presidenten e Republikës së Kosovës, dhe ne këtë partneritet po e vazhdojmë. Në fushën e mbrojtjes, si komandante supreme ushtrisë së Kosovës, jam siguruar që asnjë projekt në fushën e mbrojtjes të mos ndërprehet me Shtetet e Bashkuara, dhe po e vazhdojmë në përmasa që nuk ka qenë më herët’’, ka thënë ajo.

Të ngjashme

Të fundit