Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për radion britanike “Times Radio” për zhvillimet në shtetin e Ukrainës dhe pasojat e mundshme për rajonin tonë.
Osmani tha se ajo që po ndodh në Ukrainë është një abuzim i pushtetit dhe shkelje e të drejtës, shkruan IndeksOnline.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë. Së pari, dëshiroj të shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës, si dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi.
Ne besojmë se ajo që po ndodh është një abuzim i pushtetit dhe një shkelje e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare nga Rusia”, tha ajo.
Osmani shtoi se Rusia po e përdorë Serbinë si satelit të saj për të destabilizuar situatën në Kosovë.
“Në përgjithësi po e përdorë Serbinë si satelit të saj, përmes bashkëpunimit ushtarak, stërvitjeve ushtarake, donacioneve ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe thjesht duke shtyrë përpara mënyrën e mendimit rus e cila ka destabilizuar vendet e tjera në rajon.
Serbia është plotësisht e mbështetur dhe e koordinuar me aleatin e saj Rusinë. Ne jemi të shqetësuar për bashkërendimin e tyre të mundshëm si rezultat i ngjarjeve në Ukrainë. Prandaj, ajo çfarë po ndodh në Ukrainë mund të ketë vërtet një efekt përhapës në shumë pjesë të tjera të botës. Nuk është rastësi që ne po shohim sfida për stabilitet në Bosnjë dhe Hercegonë, Mal të Zi, Kosovë nga qasja agresive dhe përpjekjet e Serbisë të mbështetura nga Rusia”, tha Osmani.
Presidentja tha se NATO duhet të ketë rol aktiv dhe të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë ndaj Rusisë për ta ndaluar atë.