Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndonëse me fjalë të stërzbutura e përzgjedhura megjithatë tingëlloi qortuese ndaj qeverisë duke folur për Zërin e Amerikës se veprimet që “zënë në befasi partnerët…nuk i ndihmojnë Kosovës” dhe se duhet parë jo në “fitore të momentit” por në ato “afatgjatet”.
“Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë”, ka deklaruar Osmani.
“Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetuën, në aspektin aftgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.