Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv në ngrohtoren e Prishtinës “Termokos”, ka thënë se synojnë që rrjetin e ngrohjes të shtrijnë në tërë kryeqytetit.
Ai duke përmendur projektet për zgjerim të rrjetit, ka thënë se në bazë të projektit në vlerë mbi 9 milionë euro, për të cilin Komuna e Prishtinës u ka ndarë 5 milionë euro, për herë të parë ngrohje do të ofrohet edhe për kazermën “Adem Jashari” të FSK-së.
Osmani në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1, ka përmendur edhe disa lagje të tjera që do të përfitojnë nga ky projekt.
“Synimi i ngrohtores është shtrirja në gjithë qytetin e Prishtinës. Projekti aktual përfshinë një pjesë të rëndësishme të shtetit tonë, të cilës po i bëjë zgjidhje për ngrohje për herë të parë në kazermën “Adem Jashari”. planifikojmë me mbulua banesat e bardha në “Bregun e Diellit”. Pjesa e qytetit të vjetër, objektet e banimit në Lakërishtë…”, tha Osmani.
Ai ka folur edhe për projektin që ka siguruar Qeveria e Kosovës për këtë ndërmarrje, por që ka mbetur pa u finalizuar për shkak të mos miratimit në Kuvend të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Osmani sqaroi se ky projekt i cili është më i rëndësishmi, nuk ka të bëjë më këtë për zgjerimin e rrjetit, një pjesë e të cilit është subvencionuar nga Komuna e Prishtinës.
“Do të mundësojë fillimin e realizmit të projektit më të madh të impiantit të solarëve termik. Po flasim për projektin më të madh në rajon dhe i dyti në Evropë, pas Danimarkës”, tha ai.