Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, z. Kiminori Iwama.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon dhe sfidat e sigurisë, ku Presidentja Osmani falënderoi Japoninë për mbështetjen e saj në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë përmes agjencisë JICA, në shumë sfera.
Në këtë kontekst, Presidentja e informoi ambasadorin Iwama për vizitën bilaterale në Japoni, të planifikuar gjatë muajit qershor, si dhe pjesëmarrjen në EXPO 2025 në Osaka, në kuadër të kësaj vizite.
Ajo theksoi se kjo vizitë do të përkojë me Ditën e Çlirimit të Kosovës më 12 qershor, duke ofruar një mundësi të veçantë për ta promovuar Kosovën dhe për t`i forcuar lidhjet në mes dy shteteve.
Më tej, Presidentja nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shkëmbimeve kulturore, duke përmendur ndikimin pozitiv të bursave dhe programeve japoneze për të rinjtë e Kosovës.