-1.7 C
New York
Saturday, January 11, 2025

Buy now

Osmani përmendi “planin serb” për destabilizim të Ballkanit, ShBA-ja s’di gjë për të

- Advertisement -
Bastisja e një shtëpie në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – rezultoi me gjetjen e “një sasie të madhe të armatimit”, njoftoi të martën ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se shtëpia e bastisur është përdorur “për grumbullim dhe shpërndarje armësh për grupet kriminale serbe”.

Sipas tij, policia gjeti aty “armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se dyshimet për shtëpinë në fjalë, janë ngritur pas pranimit të informatave nga disa qytetarë lokalë.

“Informacionet i kemi pasur se në një shtëpi, e cila përdoret si objekt dytësor dhe jo shtëpi banimi, ka armë dhe municion dhe mjete shpërthyese. Kemi shkuar, kemi bastisur dhe kemi gjetur disa kallashnikovë, disa granate dore, eksploziv, fishekë, karikatorë dhe pajisje të tjera”, tha Elshani.

Në të njëjtën komunë, në muajin gusht, policia kreu një aksion të ngjashëm, gjatë të cilit konfiskoi mbi 1.200 fishekë.

Më 23 qershor, në afërsi të objektit komunal po në Zveçan, u kap një tjetër sasi armatimi në “një veturë me targa të Beogradit”, siç tha atëkohë ministri Sveçla.

Sipas tij, ajo do të shërbente për “realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Njoftimi i tij për sasinë e re të zbuluar të armëve erdhi vetëm një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë, ilegalisht”.

Osmani, po ashtu, tha se Serbia po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me, siç u shpreh, atë që e realizoi Rusia në Ukrainë, në vitin 2014.

Ajo i bëri deklaratat gjatë një vizite në Shqipëri më 4 shtator, por nuk nxori në pah ndonjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e saj.

“Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës”, tha ajo.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Presidentes së Kosovës me pyetjen se cila është baza për argumentet e presidentes, lidhur me një plan të Serbisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por, deri në përmbyllje të këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha përmes një deklarate për media se deklaratat e presidentes Osmani janë “të kota”, ndërsa politikën e Serbisë e përshkroi si “të përgjegjshme” dhe “paqebërëse”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Departamentin amerikan të Shtetit nëse është në dijeni për ndonjë plan për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, të pretenduar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në përgjigje, DASh-i nuk specifikoi të jetë në dijeni për një gjë të tillë, por një zëdhënëse e tij tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, e që “SHBA-ja beson se duhet ta ketë në qendër njohjen eventuale të ndërsjellë”.

Sipas kësaj zëdhënëseje, angazhimi konstruktiv dhe tentimet e sinqerta të mirëbesimit nga Kosova, por edhe nga Serbia, “do të sillnin përfitime afatgjate për qytetarët”, përfshirë rritjen ekonomike, dhe “do të siguronin stabilitet rajonal afatgjatë”.

“Ne duam të shohim përparim në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut, përfshirë obligimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është qëndrimi ynë që të gjitha marrëveshjet e kaluara, të arritura brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zbatohen”, tha zëdhënësja e DASh-it.

“Dialogu dhe kompromisi janë tejet të rëndësishëm. Nuk janë shenja dobësie, të dyja janë thelbësore për ta arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që mbështetet nga brenda, që mbetet tejet e rëndësishme për realizimin e aspiratave të të dyja vendeve në BE”, shtoi ajo.

Për pretendimet e presidentes Osmani, Radio Evropa e Lirë pyeti edhe misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe Bashkimin Evropian, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje. /REL/

 

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit