Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje të thellë për institucionet dhe qytetarët që po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme.
Ajo ka thënë se gjatë gjithë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore.
Sipas Osmanit, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur në bashkëpunim me organet e rendit, teksa Forca e Sigurisë së Kosovës ka shprehur gatishmëri të plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike në rast nevoje.
Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, ka thënë Osmani.






