Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur rreth paralajmërimeve për sulme nga Serbia, e cila ka thënë se qëllimi i këtyre paralajmërimeve është rritja e nivelit të gatishmërisë.
Osmani ka shtuar se jo vetëm rritja e gatishmërisë tonë, por edhe e partnerëve.
“Paralajmërimet tona për sulme nga Serbia kanë për qëllim të rrisin nivelin e gatishmërisë, jo vetëm tonat, por edhe të partnerëve tanë. Ju e dini bota ka shumë halle, luftëra e konflikte. Dhe shpeshherë situata në Ballkan ju duken e qetë, dhe nuk merren me preventivë; merren post-festum; vetëm pasi të ndodhë diçka.” – ka thënë Osmani në RTV21.
Ajo tutje ka shtuar se paralajmërimet e bëra para sulmit të 24 shtatorit, ka bërë të ditur se kanë marrë mesazhe se “nuk është Vuçiqi aq i çmendur”.
“Siç edhe u morrën pas 24 shtatorit, përderisa para 24 shtatorit ne shpesh i informonim se çka po planifikon Serbia, thonin nuk është Vuçiqi aq i çmendur. Pasi ndodhi, pastaj filluan ta shohin me një sy tjetër. Është detyrë e jona që t’i informojnë qytetarët. Është detyrë e jona që t’i ngrisim alarmet te partnerët, e kemi për parandalim. Shtimi i forcave të KFOR-it ka ndodhur post-festum, ne e kërkonim para se të ndodh.” – ka shtuar ajo.
“Detyra jonë është që Kosova të mbrohet dhe të jetë e sigurt dhe të kemi të gjitha përgatitjet të mbrojmë vendin…shpesh prodhohen tituj kinse po paralajmëron luftë. Nuk po paralajmërojmë luftë. Në rastin e Ksoovës e kemi të kundërt. Po i bëjmë veç përgatitjet e nevojshme, dhe që partnerët tanë të marrin shumë më seriozisht situatën. Shpesh detyrohemi të tregojmë edhe publikisht informatat, jo të klasifikuarat, sa i përket një aspekti.” – ka thënë Osmani.