Njohja nga Siria u bë shkak që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të mos jetë e pranishme në Paris, në darkën me liderët botërorë dhe po ashtu në Forumin e Paqes, ndonëse u ftua nga homologu i saj francez, presidenti Emmanuel Macron.
Kështu deklaroi për Klankosova.tv Bekim Kupina, këshilltar për media i të parës së shtetit.
“Presidentja dhe Zotëria i Parë janë falënderues ndaj Presidentit Macron dhe Zonjës së Parë Brigite Macron për ftesën dhe mbështetjen e vazhdueshme”, deklaroi Kupina për Klankosova.tv
“Për shkak të takimit trilateral me Princin e Kurorës dhe Kryeministrin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, si dhe me Presidentin e Sirisë, në të cilin u arrit marrëveshja historike për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë, Presidentja nuk ka arritur që të udhëtojë për në Francë”, theksoi ai.
Të mërkurën, presidentja Osmani njoftoi se Siria ka njohur Kosovën.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës”, tha mes tjerash Osmani.







