6.3 C
New York
Saturday, January 18, 2025

Buy now

Osmani nuk përmend dështimet e diplomacisë, merret veç me gjeopolitikën

- Advertisement -
Politika e jashtme gjithmonë duhet të jetë në interes të shtetit, në interes të qytetarëve të saj dhe e bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneritetit me shtete nga kontinente të ndryshme dhe në thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicional strategjikë. Kështu ka theksuar presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë hapëse të Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Republikës, e cila po mbahet në Prishtinë.
Presidentja Osmani ka theksuar se konferenca të tilla vjetore të ambasadorëve shërbejnë për të pasur diskutim të hapur lidhur me politikën tonë të jashtme dhe për mjedisin rajonal, global e kontinental në të cilin gjendemi si shtet, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet politika jonë e jashtme dhe shërbimi ynë i jashtëm si dhe për të përçuar tek diplomatët tanë mesazhet lidhur me temat kyçe të politikës së jashtme.

“Andaj kjo konferencë duhet të na mundësojë përmes diskutimeve dhe analizave të arrijmë tek i njëjti kuptim i mjedisit që ndikon në politikën tonë të jashtme, qartësim të synimeve strategjike të kësaj politike, si dhe të bëjmë identifikimin e fushave dhe praktikave më të mira me të cilat duhet të përmirësohemi. Ju si diplomatë të Republikës së Kosovës jeni pasqyra dhe dritarja e Kosovës jashtë vendit”, ka theksuar Osmani.

Ajo u ka thënë ambasadorëve se ata në njërën anë me veprimet e tyre duhet të pasqyrojnë vlerat themeltare të Republikës së Kosovës të lidhura me demokracinë, diversitetin etnik e kulturor, shpirtin ndërmarrës e inovativ të qytetarëve tanë, ndërsa në anën tjetër të jenë dritarja nëpërmjet së cilës komunikojnë e ndërtojnë ura bashkëpunimi me institucione e organizata në vendet ku punojnë e shërbejnë si shtëpi e Kosovës edhe për mërgatën tonë.

“Andaj ju kërkoj që të shtoni përpjekjet bashkërisht me ne si dhe angazhimin tuaj që Kosova të ketë sa më shumë miq e sa më shumë partnerë në arenën ndërkombëtare si dhe të komunikoni e bashkëpunoni edhe më afër me zyrën e presidentes dhe të gjitha institucionet tjera drejtë realizimit të synimeve të përbashkëta për një Kosovë më të fortë”, ka nënvizuar e para e shtetit.

Osmani tutje ka inkurajuar diplomatët e Kosovës që gjatë paneleve e diskutimeve të ndryshme të jenë edhe vetëkritikë për të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, pasi siç tha, kjo qasje na ndihmon të përmirësohemi e të performojmë shumë më mirë si institucione në shërbim të interesave shtetërore e gjithë qytetarëve tanë.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme vazhdimisht kam artikuluar objektivat strategjike të Kosovës në politikën e jashtme, të cilat ndër të tjera përfshijnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, përfshirë edhe synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, avancimin e procesit të integrimit në struktura euro-atlantike, promovimin e marrëdhënieve të mira me shtete anë e kënd botës, të cilat ndajnë vlera të njëjta me ne, si dhe promovimin e interesave ekonomike të vendit”, ka potencuar e para e Republikës.

Lidhur me mjedisin me të cilin vepron politika jonë e jashtme, presidentja ka nënvizuar se që gjatë vitit 2022 Kosova ishte e sfiduar në 4 drejtime.

E para, sipas presidentes ishte se Serbia vazhdoi me veprime aktive kundër pozitës sonë ndërkombëtare nëpërmjet kampanjës korruptive të bllokimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

“Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar në bashkëpunim me shtetet aleate dhe kemi ndërmarr hapa konkret drejtë krijimit të kanaleve të komunikimit me shtete jo njohëse dhe këtë vit siç e dini kemi paraqitur edhe kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe po ashtu aplikimin për anëtarësim në BE. Megjithatë, si politikë e jashtme duhet të shumëfishojmë edhe më tutje përpjekjet tona të përbashkëta për të ndalur ndikimin e Serbisë tek shtetet tjera sidomos duke e shfrytëzuar partneritetin tonë të afërt me shtete mike që e kemi në secilin kontinent”, është shprehur Osmani.

Sfida e dytë sipas presidentes ka qenë fakti që Serbia ka ndërmarr veprime kundër rendit kushtetues, duke cytur serbët në veri t’i braktisin institucionet e Kosovës nëpërmjet kërcënimeve, detyrimeve sulmeve por edhe joshjeve në disa raste.

“Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e vakumit institucional në veri si prelud për atë që Serbia e dëshiron, pra pretendimet e saj territoriale në raport me Kosovën. Një gjë e tillë natyrisht që kurrë nuk do të lejohet dhe vetëm sa do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundim të ligjit në secilën pjesë, në secilin cep të vendit tonë”, ka thënë ajo.

Në raport me serbët që janë qytetarë të republikës sonë, tha tutje presidentja, institucionet tona do të jenë çdo herë mbështetëse të nismave socio-ekonomike me qëllim të integrimit të tyre të plotë në shoqërinë multietnike të Republikës së Kosovës.

Si sfidë të tretë, e para e shtetit, ka përmendur minimin dhe bllokimin e procesit të dialogut nga veprimet obstruksioniste të regjimit në Serbi, duke pamundësuar progresin dhe arritjen e marrëveshjeve në shumë fronte, përfshirë edhe bllokimin e marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë, mos implementimin e marrëveshjes në fushën e energjisë e marrëveshjeve të tjera që u arritën gjatë muajve të fundit si dhe duke e bllokuar diskutimin për dokumentin e propozuar nga ana e Gjermanisë e Francës dhe i mbështetur nga SHBA.

“Përkundër këtyre sfidave, Kosova ka qenë palë konstruktive dhe e angazhuar në dialog duke ndjekur parime të qarta. Marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Si sfidë të katërt ajo ka përmendur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, që sipas presidentes, përveç pasojave që ka sjellë në sigurinë evropiane duke krijuar ndarjen e qartë mes shteteve në boshtin euroatlantik kundër atij rus, ka aktualizuar rëndësinë e NATO-s, krizën e inflacionit, energjisë dhe furnizimit me ushqim, si dhe na ka ofruar mundësi që në politikën e jashtme të shfaqim vlerat tona euro-atlantike e të afrohemi më tej me aleatët tanë.

“Po ashtu, sa i përket kontekstit ndërkombëtar, politika jonë e jashtme sikurse e vendeve tjera është ndikuar nga ndryshimet në ekonominë globale dhe kërcënimet hibride si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe veprimeve dashakeqe të shteteve si Kina e Irani apo akterëve jo shtetëror që po sfidojnë rendin ndërkombëtar. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mjedisi ndërkombëtar në të cilin veprojnë shtetet po bëhet edhe më kompleks më i paparashikueshëm dhe po i nënshtrohet ndryshimeve të pandalshme. Andaj një mjedis i sigurt rajonal dhe global kërkon bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet të gjitha shteteve, pasi që problemet qofshin ato rajonale qofshin globale kërkojnë zgjidhje të bazuar në partneritet e reciprocitet”, ka thënë tutje Osmani.

Duke marr për bazë këto zhvillime, presidentja ka thënë se tashmë është shndërruar në domosdoshmëri shtimi i kapaciteteve të sigurisë përfshirë të atyre të sigurisë kibernetike, pasi “që lufta hibride dhe kërcënimet jo tradicionale të sigurisë vazhdojnë të sfidojnë shtete anë e kënd globit”.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit