Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët” dhe njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Osmani ka theksuar se me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e artistit, duke nënvizuar kontributin e jashtëzakonshëm që Shemi ka dhënë në muzikën shqiptare.
Ajo ka veçuar këngën “Xhamadani vija vija” si një kujtim të fuqishëm dhe simbolik, e cila vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet kombëtar, ashtu siç bëri zëri i tij ndër dekada.
“Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Osmani rikujtoi se dy vjet më parë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Shemsi Krasniqi – Shemi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Ajo theksoi se kujtimi dhe vepra e artistit do të jetojnë gjatë përmes muzikës që ai la trashëgimi brezave të ardhshëm.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Shemsi Krasniqin – Shemin”, përfundon mesazhi i Presidentes.






