Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.
Në njoftimin e Presidencës u tha se në takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën.
“Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim. Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike”.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në njoftim.