Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është duke vizituar sot Komunën e Drenasit.
Me këtë rast, presidentja Osmani gjatë fjalimit të saj para zyrtarëve komunal dhe qytetarëve bëri thirrje që të ketë kushte sa më të mira edhe në shëndetësi, edhe në arsim e kudo tjetër që qytetarët kanë nevojë të drejtohen.
Ajo gjithashtu se Parku i Biznesit në Drenas është një mundësi shumë e mirë e zhvillimit, e që kërkon investim e përkrahje edhe më të madhe.
“Duhet të vazhdojmë të bëjmë çmos për të krijuar mundësi të reja për ti dhënë rast edhe sektorit privat për të krijuar vende të reja të punës dhe kështu ti japim rast rinisë tonë të jashtëzakonshme për të dëshmuar potencialin fantastik. Duhet t’i bëjmë komunat atraktive për të rinjtë, sepse të rinjtë na duhen këtu, na duhen në Kosovë dhe duhet ti realizojnë ëndrrat e tyre brenda vendit për të cilin kanë kontribuar shumë njerëz”, tha Osmani.
Osmani gjithashtu tha se institucionet duhet që të gjithë kryetarët e komunave t’i shohin si partner të vazhdueshëm në këtë përpjekje të përbashkët.
“Ka shumë projekte, shumë ide e shumë propozime nga ana e juaj që i diskutuam me kryetarin. Si presidente e vendit do të vazhdojë të jem aleate e juaja për çdo propozim që është në interes të qytetarëve. Komuna është dera e parë ku trokasin qytetarët e dora e parë nga ku kërkojnë ndihmë. Prandaj secili prej nesh jemi në nivel qendror apo lokal duhet të sigurohemi se po japim përkrahjen e nevojshme që kjo derë e ndihmës është gjithmonë aty dhe dera të jetë çdoherë e hapur”,tha Osmani.
Ajo theksoi se “Jemi në shërim vetëm e vetëm të qytetarëve pa dallim dhe duhet të bëjmë çmos për t’ua përmirësuar jetën”.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Osmanit në kuadër të vizitave të paralajmëruara për t’u realizuar në komunat e shumta të vendit