Vjosa Osmani ka përmbyllur mandatin e saj pesëvjeçar si presidente e vendit. Gjatë një ceremonie të mbajtur në Presidencë, ajo ia ka dorëzuar mandatin, kryekuvendares Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit nga sot do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes.
Osmani gjatë adresimit përmbyllës tha mes tjerash se Kosova nuk është e fortë vetëm kur fiton, por është e pathyeshme sepse nuk dorëzohet kurrë.
Më poshtë adresimin përmbyllës të mandatit të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani.
Fjalimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
E nderuar mërgatë, forca që e mban Kosovën të lidhur me botën!
Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh Republikës.
Nuk ka përgjegjësi më të madhe, por edhe më fisnike, sesa të mbash mbi supe besimin e qytetarëve të tu.
Falë përkushtimit tuaj ndaj vlerave demokratike dhe këmbëngulësisë për të krijuar institucione të qëndrueshme, unë e kam pasur këtë nder dhe përgjegjësinë madhore që të sigurohem se vullneti i juaj e zëri juaj do të përfaqësohen denjësisht.
Që nga dita e parë, e kam marrë këtë detyrë me një bindje të qartë: se integriteti nuk negociohet, se shteti nuk përkulet dhe se besimi i qytetarëve nuk shpërdorohet.
Kjo ka qenë busulla ime edhe kur rruga nuk ka qenë e lehtë e jashtëzakonisht sfiduese.
Mbështetja juaj ka qenë e qartë, e zëshme dhe e vazhdueshme.
E kam ndjerë në çdo lagje, në çdo fshat e qytet, në çdo takim, në çdo mesazh dhe në çdo mundësi që kam pasur t’ju takoj.
Ajo mbështetje, mbi të gjitha, ishte besim.
Dhe për këtë besim, përulem para jush me mirënjohjen më të thellë e të përjetshme.
Sepse besimi i qytetarëve është forca që i jep kuptim çdo përgjegjësie publike. Atë besim unë e kam kthyer në besnikëri, ndaj jush, ndaj parimeve të shtetit, ndaj vlerave tona të përbashkëta kombëtare e demokratike. Besnikëri, vetëm e vetëm ndaj Republikës së Kosovës, sovranitetit të saj, pavarësisë së saj e paprekshmërisë së kufijve të saj.
Për mua, thelbësore ka qenë dhe mbetet mbrojtja e interesit të shtetit dhe të qytetarëve tanë, ndërlidhja e historisë së mundimshme e sakrificës së popullit tonë me vizionin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Rugova, nderimi i luftës sonë çlirimtare dhe mbrojtja e aleancave me aleatët tanë të sigurisë të cilët edhe 27 vite pas lufte, së bashku me institucionet tona ende e mbrojnë kufirin tonë me Serbinë. Mbrojtja e aleancës së lirisë me SHBA-të, me vendet evropiane dhe të gjitha vendet paqedashëse gjithandej globit ka qenë dhe mbetet themeli i qëndrueshëm për mbrojtjen e paqes. Unë nuk lëviz nga ky vizion, sepse ky është vizioni i shtetit tonë, ky është vizioni i qytetarëve të vendit tim.
Të dashur qytetarë,
Orientimi im si përfaqësuese e juaja ka qenë dhe mbetet i qartë, ai i Presidentit Rugova: një Kosovë e lirë, e pavarur, demokratike, e integruar në strukturat euroatlantike dhe në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk ka qenë vetëm vizion; ka qenë udhërrëfyesi im i përditshëm. Dhe Kosova e këtyre pesë vjetëve është udhëhequr çdo ditë nga ky orientim i qartë strategjik.
Me përulje të thellë, sikurse çdoherë, edhe sot nderoj heronjtë, martirët e lirisë, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; të gjithë ata që u zhdukën me dhunë nga forcat gjenocidale serbe; të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës e të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë vend, sepse liria jonë mban emrin e tyre dhe Republika jonë qëndron mbi sakrificën e tyre.
Këto kanë qenë përhershmëri e veprimeve të mia dhe busulla orientuese e çdo pune, në secilën ditë të angazhimit tim për Republikën tonë të dashur, duke u mbetur përherë besnike parimeve të shtetit tonë, tash në ditën e fundit të mandatit, sikur edhe në ditën e parë të tij.
Sepse një Kosovë që hap dyer jashtë, është më e fortë brenda.
Sepse një Kosovë që dëgjohet në botë, është gjithnjë më e sigurt në shtëpi.
Në çdo takim, në çdo vizitë, në çdo bisedë me liderë botërorë, kam pasur një mesazh të vetëm: Kosova është republikë sovrane, demokratike, me kufij të paprekshëm dhe e vendosur të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare, si në rajonin tonë, ashtu edhe përtej, dhe një shtet i destinuar për të ardhmen euroatlantike.
Kjo punë nuk është ndalur në asnjë moment. Jam thellësisht krenare që këtë institucion po e lëmë më të respektuar në botë, me dyer të hapura dhe me aleanca të forcuara.
Duke i sjellë Kosovës njohje të reja; duke arritur liberalizimin e vizave me BE-në e me shumë shtete të tjera; duke bërë hapa konkretë drejt integrimit të vendit në BE dhe në Këshillin e Evropës; e po ashtu hapa konkret drejt të ardhmes në NATO, duke siguruar garanca të fuqishme për paprekshmërinë e kufijve tanë; duke ndërtuar partneritete për fuqizimin e ushtrisë sonë; duke e bërë Kosovën pjesë të platformave ku nuk ka pasur qasje më herët, si me pjesëmarrjen historike në Samitin e NATO-s, duke e bërë anëtare themeluese në Bordin e Paqes; duke e kthyer Kosovën në qendër të agjendave globale: nga Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. deri te mbrojtja e fëmijëve në botën digjitale. Duke i përparuar ndjeshëm raportet me vendet e tjera, deri dje hezituese për të krijuar raporte me vendin tonë; duke hapur perspektiva të reja marrëdhëniesh politike me shumë vende të tjera gjithandej rruzullit tokësor, në këto 5 vjet kemi dëshmuar se edhe një shtet i vogël mund të ketë zë të madh.
Sepse ky ishte vizioni ynë që në ditën e parë kur u betova në Kuvend por mbi të gjitha kur u betova para jush: që Kosova të mos jetë vetëm pjesë e tavolinave ndërkombëtare, por edhe kontribuuese aktive në to.
Të dashur qytetarë,
Si Komandante Supreme e FSK-së, kam parë nga afër forcën e vërtetë të këtij vendi: njerëzit tanë në uniformë. Gra dhe burra që nuk kërkojnë duartrokitje, por mbajnë mbi supe sigurinë tonë.
Por e ardhmja kërkon më shumë se arritje. Kërkon edhe vigjilencë.
Jetojmë në një kohë ku e vërteta sfidohet çdo ditë.
Ku propaganda vishet si opinion.
Ku shpifja e manipulimi tenton të zëvendësojë faktin.
Prandaj ju lus: mos e humbni busullën tuaj.
Sepse vetëm kur e vërteta njihet dhe mbrohet, manipulimi humbet fuqinë dhe busulla morale mbetet e palëkundur.
Në javët e fundit, duke ju takuar anembanë Kosovës, kam parë diçka që nuk mund të fabrikohet: besimin që nuk shuhet lehtë.
Por kam parë edhe pritjen e kërkesën tuaj, për më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, të ardhme më të qartë e bashkim rreth vlerave.
Dhe kjo pritje është e drejtë. Sepse Kosova mund të jetë vend i vogël, por është vend me kujtesë të madhe, dhe meriton të ardhme edhe më të ndritshme.
Ndonjëherë, në politikë, pikërisht besnikëria ndaj parimeve, konsistenca ndaj vlerave të popullit tënd, vizioni për të mbrojtur shtetin e për të qëndruar fort përkrah aleatëve të djeshëm e të sotëm, e mbi të gjitha besnikëria ndaj Kosovës, shndërrohet në pengesë për disa.
Në këtë rrugëtim, kam mësuar edhe një të vërtetë tjetër: se ndonjëherë, sfidat më të mëdha nuk vijnë nga jashtë.
Vijnë atëherë kur qëndrueshmëria ndaj parimeve fillon të shihet si pengesë e jo si vlerë si dhe kur besnikëria ndaj shtetit nuk përputhet me interesat ditore.
Dhe pikërisht në ato momente, një udhëheqës duhet të zgjedhë: komoditetin apo integritetin.
Unë besoj fort që kam zgjedhur integritetin.
Sepse për mua, Republika nuk është instrument. Është amanet. Është amanet.
Të dashur qytetarë,
Në çdo takim me ju këto ditë në sytë tuaj pashë mirënjohje, por edhe pritje që Kosova të arrijë akoma më shumë, më mirë, e më shpejt.
Kjo është Kosova jonë.
Një vend i vogël në hartë, por i madh në shpirt.
Një popull që ka mësuar të qëndrojë, të ngrihet dhe të ecë përpara, gjithmonë duke bërë më shumë se sa që pritet prej tij.
Për të gjithë ata që kam takuar: faleminderit nga zemra!
Për ata që nuk kam arritur t’i takoj: rrugët tona do të kryqëzohen, dhe do të jemi bashkë, krah për krah, në sfidat dhe synimet që na presin.
Gjatë këtyre 5 viteve, kemi qëndruar pranë grave, të rinjve, fëmijëve, mërgatës, sportistëve, personave me nevoja të veçanta, komuniteteve jo-shumicë e qytetarëve tanë gjithandej vendit, sepse një Republikë e fortë ndërtohet vetëm kur secili qytetar ndihet i përfshirë, i dëgjuar dhe i përfaqësuar.
Nuk ka thirrje më të madhe se sa t’i shërbesh një kauze më të madhe se vetvetja.
Të jesh Presidente e Republikës së Kosovës do të thotë të jesh mbrojtëse e pakompromis e së kaluarës sonë të lavdishme, luftëtare e përditshme për të tashmen dhe garantuese e vendosur për një të ardhme më të mirë.
Sot përulem para çdo qytetari që na ka besuar. Sepse besimi është valuta më e shtrenjtë e demokracisë, dhe më e lehta për t’u humbur kur e vërteta zëvendësohet me shpifje. Prandaj ju ftoj që së bashku ta mbrojmë të vërtetën.
Ne mund të përballemi me sfida. Mund të përballemi me padrejtësi.
Por kurrë, kurrë, nuk do të përballemi me mungesë guximi. Këtë ua premtoj. Sepse ky popull ka zgjedhur gjithmonë të qëndrojë drejt.
Dhe nëse ka një gjë që kam mësuar nga ju, është kjo: që Kosova nuk është e fortë vetëm kur fiton, por është e pathyeshme sepse nuk dorëzohet kurrë.
Të dashur qytetarë,
Republika jonë do të vazhdojë të forcohet:
për vajzat që po rriten me ëndrra të mëdha,
për djemtë që besojnë në këtë vend,
për nënat e baballarët që sakrifikojnë çdo ditë,
për gjyshërit që e mbajtën gjallë shpresën,
Sepse kjo Republikë është më e madhe se çdo mandat, se çdo individ, dhe më e fortë se çdo moment politik.
Kosova do të ecë përpara. Së bashku do të ecim përpara.
Unë do të vazhdoj të jem me ju, për ju dhe për shtetin që të gjithë së bashku e kemi ndërtuar dhe që do ta mbrojmë përgjithmonë. Do të vazhdoj të jem në anën e Republikës së Kosovës.
Natyrisht që angazhimi politik nënkupton që çmimin e qëndrimeve tona shpeshherë e paguajnë familjet tona. Prandaj dua t’i falënderoj nga zemra dy vajzat e mia dhe bashkëshortin tim si dhe gjithë familjen time që më qëndruan afër në çdo hap, pavarësisht se sa i vështirë bëhej ky rrugëtim. Familja është themeli më i fortë i kësaj shoqërie, dhe vetëm duke ruajtur vlerat familjare që kanë qenë fuqia jonë përherë, ne do të mund ta forcojmë shtetin tonë.
Një falënderim të veçantë dua t’ia shpreh kabinetit tim dhe bashkëpunëtorëve të mi këtu në Presidencë të cilët kanë bërë një punë të palodhshme e të jashtëzakonshme përgjatë këtyre viteve. Falënderoj edhe administratën dhe partnerët e shumtë, që me përkushtim, shpesh larg syrit të publikut, kanë mbajtur peshën e këtij misioni së bashku me ne. Falënderoj institucionet tona, miqtë e Kosovës me të cilët bashkëpunuam për ta bërë Kosovën më të fortë, më të dëgjuar e më të respektuar.
Të dashur qytetarë,
Falënderimi më i thellë gjithnjë ju takon juve.
Faleminderit për besimin.
Faleminderit për mbështetjen.
Faleminderit për dashurinë.
Faleminderit për nderin më të madhe jetësor që më dhatë: t’i shërbej Republikës sonë!
Kosova është dhe do të mbetet e pavarur e sovrane, e paprekshme në kufijtë e saj, e hapur për partneritete e aleanca të vlerave, e pandalshme drejt BE-së dhe NATO-s, dhe përjetësisht krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që secili President apo Presidente në të ardhmen ta ruaj dhe vazhdojë këtë trashëgimi dhe këtë rrugëtim.
Këtë institucion e ndërtoi Presidenti Rugova si institucion të fortë, me integritet e me aleatë. Dhe të tillë, po e lë pas.
Sot largohem nga kjo detyrë, por assesi, assesi, nga përkushtimi për atdheun tonë të dashur.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Ju faleminderit!
VIDEO: https://www.facebook.com/reel/1612575703466793






