Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe para përkujtimores së të rënëve në masakrat e Poklekut dhe Çikatovës, ku mbetën të vrarë mbi 53 civilë, 24 vjet më parë.
Osmani në një postim në Facebook ka ndarë momente intime dhe prekëse që lidhen direkt me fatin e viktimave, një pjesë e madhe e të cilave ishin fëmijë.
“Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe, kur jeta iu shua në filim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit gjenocidal serb. Emri i saj ishte Liri, e lirinë nuk e arriti! Por, u shndërrua në simbol të saj”, ka shkruar Osmani.
Më tutje ajo ka thënë se 53 civilë të pushkatuar e të djegur në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, përfshirë Lirien, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: shfarosjen dhe zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Prandaj, viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç. Bashkë me ta është vrarë edhe poeti i tyre, poeti i fëmijëve Ymer Elshani me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën.
“Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtyre akteve makabër në Poklek, në Çikatovë të Vjetër e kudo në Kosovë, të dalin para drejtësisë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri!”.