Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Në takimin që zhvilloi të martën me delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, Osmani ka shtuar se vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke të Bashkimit Evropian është urgjente.
“Presidentja në takim me delegacionin portugez ka folur edhe për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë avancon liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e deritashme”, ka thënë Osmani.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, në këtë takim palët janë shprehur të gatshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy parlamenteve, si dhe në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit.