Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është shprehur se “Kosova nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim siç bëri para 20 vitesh Maqedonia e Veriut duke mos pranuar marrëveshjen me Greqinë”.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai ka thënë se shteti që ai përfaqëson para 20 vjetësh humbi mundësinë që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Është thënia popullore ‘kur digjni qumështin, pastaj u fryni edhe kosit. Maqedonia e Veriut para 20 vitesh në raport me Greqinë, duke menduar se ne jemi në të drejtë, tentuam ta bindim botën se ne jemi në të drejtë dhe Greqia është gabim dhe nuk pranonim një marrëveshje për ulje në tavolinë. Humbëm 20 vjet, humbëm një gjeneratë që ikën nga Maqedonia e Veriut dhe nuk e di nëse do kthehen më. Humbëm shansin që të jemi pjesë e BE-së, bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë asaj kohe dhe përsëri u ulëm me Greqinë dhe gjetëm një zgjidhje. Ne kemi një qasje tjetër që mund të duket e çuditshme. Duhet të mësojnë nga shembulli jonë dhe të mos përsërisin gabimet tona”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se tensioni në veri të Kosovës po e mban peng rajonin. Ka përsëritur se njohja reciproke është normalizimi i raporteve. Osmani ka përkrahur idenë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për konferencë të mbyllur të liderëve të Kosovës dhe Serbisë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.