Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për sulmin terrorist dhe agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, duke e cilësuar një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, raporton Ekonomia Online.
“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të ‘Botës serbe’. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”, ka theksuar Persidentja Osmani.
Sipas saj, në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjakun, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë.
“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj presidentja Osmani.
Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica.
“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar Osmani.
Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e opozitës që në këtë çështje treguan përkrahjen për institucionet e Kosovës e në veçanti për institucionet e sigurisë, të cilat vazhdojnë të jenë mbrojtësit e Republikës, raporton EO.
“Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur Osmani.