Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
Osmani ka ritheksuar se këto zgjedhje duhet të zhvillohen sipas standardeve më të larta demokratike, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtim të lartë në organizimin e proceseve zgjedhore.
“Presidentja ritheksoi rëndësinë që edhe këto zgjedhje të mbahen sipas standardeve më të larta demokratike, në të cilat Kosova tashmë është shembull,” thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua edhe për hapat drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, në fusha me interes të përbashkët.
“Po ashtu, në takim u diskutua edhe për hapat konkret drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe tregtisë, për ç’gjë ishin dakorduar gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të këtij viti,” thuhet tutje.






