Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë sot në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill, si e ftuar nderi, ndërkaq në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pati një adresim.
Në njoftimin e lëshuar nga presidenca thuhet se gjatë Drekës Ndërparlamentare Ndërkombëtare, Osmani foli për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme, si dhe angazhimin e paluhatur për luftim të forcave dhe ndikimit malinj në Kosovë.
Ndërsa në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, Osmani u fokusua në rolin strategjik të Kosovës në luftimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit, duke theksuar partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, theksoi Presidentja.
Sipas Osmanit, Kosova është një aset strategjik për ShBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara.