Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ministren Donika Gërvalla-Schwarz e kanë organizuar Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Edhe pse në këtë forum për siguri, Osmani ka ftuar gra deputete nga vende të ndryshme, ajo po vazhdon të tregohen “fanatike” politikisht, duke mos i ftuar deputetet gra të Kuvendit të Kosovës. Madje, Osmani e Gërvalla nuk e kanë ftuar as kryetaren e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliun, e cila udhëheq me komisionin parlamentar më të rëndësishëm për sektorin e sigurisë në Kosovë.
Demokracia.com ka kontaktuar me deputeten Musliu, e cila e ka konfirmuar se nuk ka pasur ftesë për të qenë pjesë e ndonjë paneli në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Osmani e Gërvalla.
“Edhe pse jam gruaja e vetme që e udhëheq një Komision Parlamentar nga fusha e sigurisë, nuk jam e ftuar të jem paneliste në këtë forum. Të them të drejtën, duke parë zhvillimet politike dhe veprimet subjektive të bartësve të institucioneve e jo vetëm, si dhe duke e ditur që Vjosa Osmani nuk ka arritur ta kuptojë ende rolin e vet si presidente, as që e kam pritur. Me rëndësi është që ky forum do të shfrytëzohet nga Vjosa për t’i promovuar deputetet e Listës Guxo, këshilltarët e kabinetit të saj, gratë që ia shpërndajnë asaj postimet që poston në rrjetet sociale. Kini parasysh që kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as hera e fundit kur gratë do t’i luftojnë gratë”, ka deklaruar deputetja Ganimete Musliu për Demokracia.com.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë këtij forumi do të nderohen gratë ukrainase me Medaljen Presidenciale të Meritave, por ajo i ka injoruar tërësisht edhe dy deputetet e Kuvendit të Kosovës, Time Kadriaj dhe Shqipe Selimi, të cilat kanë qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.