Vjosa Osmani goditi Albin Kurtin m’u në tregimin më të madh e krenar të kryetarit të qeverisë kosovare për më shumë se pesë vite: dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Vetëvendosja dhe mbështetësit e vet e projektojnë Albin Kurtin si “më të suksesshmin e dinjitetshim” kundrejt Serbisë. Por, ish-aleatja e parë e tij, Vjosa Osmani, ditë më parë në “Pressing” e sulmoi m’u në këtë temë ku Kurti projektohet e besohet e investohet si suprem. “Le të mendojnë dy herë para se ta thonë këtë,” tha ajo. “Sepse rezultatet dihen.”Këtu Osmaniu rikujtoi mospajtimësinë e saj kur Kurti e kishte arritur Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit pa njohje të ndërsjellë juridike, me Nenin 7 si autonomi për serbët e Kosovës dhe tejkalim të garancave të Ahtisaarit për Kishën Ortodokse Serbe. Kësisoji, tha ajo, “rezultatet dihen,” duke mos i dhënë Kurtit atë që ky i fundit e paraqet në forumet më të larta të partisë së vet dhe qeverisë, si “arritja më e madhe në politikën e jashtme të Kosovës.”Nuk vonoi shumë nga këto deklarata mu në tregimin më krenar të Vetëvendosjes, përkatësisht “ballafaqimin me Serbinë”, kur Osmanit i erdhën një avalansh reagimesh nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes. Fjalët e të menduar “dy herë” iu kthyen asaj nga një deputet i VV-së, Adnan Rrustemi.“Nëse dialogu nuk ka qenë dhe nuk është pik amë e fortë e Kurtit, atëherë pse pati nevojë presidentja të bëhej ‘gardiane’ e miqësisë me miqtë? Apo pse pati nevojë që ajo të thoshte se Kurti po luan bixhoz me aleancat? Këto deklarime erdhën direkt si rezultat i qëndrimit të fortë në dialog dhe moskompromisit me shtrirjen e rendit në veri. Apo ndoshta vetë presidentja do të duhej të mendonte dy herë kur i tha këto fjalë?,” shkroi Rrustemi.
- Advertisement -
Reagim pasoi edhe nga Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, kur Osmani tha se sanksionet ndaj Kosova të vendosura nga BE në qershor të 2023’ës, i hoqi ajo kohëve të fundit nga “puna e pandalshme” vetanake e saj. Bajqinovci iu drejtua rëndë se Osmani “ishte në linjë me Lajçakun.”“Presidentja jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga veriu. Nëse nuk ka harruar, Presidentja pastrimin e strukturave kriminale e quante “bixhoz”. Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!,” shkroi ai.Në të njëjtën vijë qëndruan edhe nga Zyra e Kryeministrit, kur këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj goditi për atë se heqja e sanksioneve është rezultat i saj.“Edhe Kryeministri ka folur, por më shumë ka vepruar,” shkroi ai,
Enver Dugolli, deputet i VV-së pretendoi se Kurti “nuk tha asnjë fjalë të keqe për Osmanin,” duke i kthyer kësaj të fundës fjalët për “bixhoz me aleatët.”“Madje, as më herët, kur të tjerët e nxorën jashtë nga partia, ai nuk pati asnjë fjalë të keqe; përkundrazi, i ofroi bashkëpunim të sinqertë dhe e mbështeti për presidente. Prej nga ky mllef tani? Z. Kurti ende nuk ka thënë asnjë fjalë të keqe për znj. Osmani. Pse vallë ky nxitim dhe cili është interesi në këtë moment? Pozitat vijnë e shkojnë, por bashkëpunimi dhe mirëbesimi janë virtyte që duhet të qëndrojnë,” shkroi Dugolli.Osmani e jep që Kurti nuk e kandidoi për presidente si pasojë e angazhimeve të saj në politikën e jashtme dhe specifikisht afrinë e saj të madhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.