Presidentja Vjosa Osmani ka sqaruar raportimet e fundit, duke theksuar se mbrojtja e saj e afërt nuk ka arrestuar asnjë gazetar. Ajo ka bërë të qartë se vetë ka kërkuar nga stafi i sigurisë që të mos ndërhynë me dorë ndaj gazetarëve, duke shtuar se çdo incizim i paautorizuar është i ndaluar sipas ligjit, veçanërisht për fëmijët nën moshën 18-vjeçare pa lejen e prindërve.
“Gënjeshtër tjetër është se kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar një gazetar. Unë vetë kam kërkuar nga mbrojtja ime e afërt që të mos i prekin me dorë. Ata nuk arrestojnë gazetarë, kanë qenë në kryerjen e detyrës zyrtare. Ju e dini se incizimi i paautorizuar është vepër penale, dhe një nga nenet kryesore në Kodin e Mediave të Shkruara është incizimi pa leje i fëmijëve nën moshën 18-vjeçare pa lejen e prindërve. Nuk kam asnjë informacion nga kush dhe si është arrestuar dhe nuk kam pasur asnjë kërkesë”.
