Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e seancës për të votuar mandatarin për kryeministër, është në duart e deputetëve dhe Kryesisë së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Osmani para mediave ka thënë se ajo është e gatshme të ofrojë edhe zgjidhjen në lidhje me pagat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje nga partitë politike për një gatishmëri të tillë, e pa çka u kërkoi gazetarëve që të bëhet një “presion pozitiv” partive politike, që të paktën të bëjnë diçka që është në interesin qytetarëve por edhe të shtetit.
“Siç e dini, i mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët dhe nga kryesia e Kuvendit se kur ftohet seanca. Siç e dini, seanca duhet të thirret brenda afatit kushtetues, pra kanë mbetur edhe pak ditë dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance. Mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj”, tha Osmani pasi mori pjesë në Forumin “Nga Rezoluta në Veprim: 25 vjet që Gratë Transformojnë Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”.
Ajo ka treguar edhe zgjidhjen për RTK-në, punëtorët e së cilës nuk kanë marrë pagë.
“Si presidente e vendit tashmë e dini të gjithë ju në RTK që këtë çështje e kam ngritur në takim me liderët politikë, si në takimin e përbashkët, ashtu edhe në takime të ndara. Kam shprehur gatishmërinë e plotë që, në rast se partitë opozitare nuk dëshirojnë ta pranojnë një nismë legjislative të nisur nga ana e qeverisë, atëherë këtë mund ta bëj unë, mirëpo duhet të shprehet gatishmëri nga ana e partive që diçka e tillë të votohet në Kuvend. Mirëpo deri më tani nuk kam përgjigje nëse ka gatishmëri nga partitë që kanë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës të votojnë. Mendoj që është e domosdoshme, e lehtë të kalohet një vendim i tillë. Pra, gatishmërinë e kam që qysh nesër të dërgojmë kërkesën në Kuvend. Këto janë çështje që janë të zgjidhshme, mund të zgjidhet edhe brenda Kuvendit me iniciativë të vetë deputetëve, pra ka mundësi të zgjidhet kjo çështje, mirëpo nuk kam përgjigje. Përveç pagave në RTK, e kam ngritur edhe çështjen e Planit të Rritjes që është mbi 800 milionë euro. Çështjen e marrëveshjes me Bankën Botërore, ku në fund të dhjetorit janë një milion euro, por janë edhe mbi 200 milionë të tjera në fillim të vitit që mund të humben nëse nuk ratifikohen. Pra, po flasim për mbi 1 miliard euro që janë diku 1/4 e buxhetit të Kosovës e që nuk do të duhej t’i humbiste, por do të duhej t’i përfitonte”, theksoi Osmani.
E para e shteti pret të ketë një refletkim të partive politike, pa cka tha se duhet të marrin veprime të cilat janë në interes të shtetit dhe qytetarit.
“Pres reflektim nga partitë politike, ne gjithçka kemi gati si dokumentacion. Krejt çka duhet është vullneti i partive politike. Ju inkurajoj edhe juve si media që vazhdimisht të bëni presion pozitiv, po e quaj kështu, partive politike që këto vendime të merren nga ky Kuvend dhe përfaqësuesit e këtij Kuvendi që janë votuar më 9 shkurt të këtij viti, por akoma s’kanë vendosur asgjë. Të vendosin diçka në interes të qytetarëve, sepse shkon ky vit, së paku disa vendime që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit”, theksoi Osmani






