Ajo ka falënderuar dy senatorët, duke thënë se përmes telefonatës, u konfirmua përkushtimi i përbashkët për patneritetin Kosovë-ShBA.
“Falënderoj senatorët @SenatorShaheen dhe @PeteRicketts për telefonatën e tyre sot, ku rikonfirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për partneritetin Kosovë-ShBA dhe çuarjen përpara të Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, shkroi Osmani në Twitter.
Tutje, Osmani tregoi se i ka përditësuar dy senatorët për zhvillimet e fundit në Kosovë.
“I përditësova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe mbi përpjekjet tona për të kapërcyer sfidat.” – tha tutje Osmani.
Ndryshe, dy senatorët amerikanë, pra Jeanne Shaheen dhe Pete Rickett, para disa ditëve lëshuan një deklaratë të përbashkët në lidhje me krizën në tri komunat veriore të vendit për çka u shpreh “tejet të shqetësuar”. Senatorët, të cilët janë edhe prej kryesuesve të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, u shprehën “të zhgënjyer me vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Kosovës për përdorimin e panevojshëm të forcës për të hyrë në ndërtesat komunale”.
“Jemi shumë të shqetësuar nga përkeqësimi i konsiderueshëm i situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Jemi të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme. Përshkallëzimi i dhunës ka rezultuar në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve nga Forca e NATO-s në Kosovë. Ne dënojmë dhunën dhe u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të deskaluar situatën”, thanë senatorët.
“Kosova dhe Serbia janë buzë avancimit të marrëdhënieve të tyre diplomatike dhe ekonomike me njëra-tjetrën dhe me Evropën, por anëtarët e Kongresit dhe komuniteti ndërkombëtar po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar nga kthimi alarmues në progres. Udhëheqësit e të dy vendeve duhet të veprojnë në interesat më të mira afatgjata të kombeve të tyre përkatëse në vend që të lejojnë mosmarrëveshjet e vazhdueshme që të pengojnë paqen dhe stabilitetin dhe, rrjedhimisht, aspiratat e tyre për anëtarësim në BE”, thanë Shaheen dhe Ricketts.