10.9 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Osmani e Vuçiq në Spanjë, Borrell thotë se do të bisedoj me ta “për uljen e tensioneve”

- Advertisement -

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.

I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrel tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës.”

Më herët gjatë ditës, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur, dhe është vrarë një zyrtar policor.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.

Aty marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rreth 20 liderë tjerë të vendeve të Evropës dhe Kaukazit.

Më herët gjatë ditës ka pasur pritje nga liderët evropianë që Osmani dhe Vuçiq të mund të takohen në margjina të këtij takimi.

“Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiqit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.

Një një takim të mbajtur më 3 tetor në Parlamentin Evropian, disa eurodeputetë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë të mërkurën se SHBA-ja është duke tentuar të kuptojë më shumë për rastin, para se të vendosë për sanksione eventuale.

“Mirëpo, është qëndrim i prerë i Qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë krim, si për krimin e vrasjes së zyrtarit policor, për përdorimin e forcës për ta kontrolluar një objekt fetar, për përfshirje në shkëmbim të zjarrit me policinë legjitime dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës, duhet të mbahen përgjegjës. Ne duhet ta përfundojmë këtë proces, mirëpo do të jemi të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces, për të garantuar se përgjegjësit mbajnë përgjegjësi”.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka mohuar pretendimin.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit