Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka një bllokadë totale nga ana e BE-së për Kosovën. Ajo ka thënë nuk po vlerësohen reformat e Kosovës, puna dhe fakti që Kosova është njëqind përqind në përputhje me politikat e BE-së. E para e shtetit ka thënë se në të kundërtën, më shumë po vlerësohen ata që po shkojnë në Moskë, referuar këtu presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Osmani këto deklarata i bëri para mediave, para nisjes së Samitit të Komunitetit Politike në Tiranë.
“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së për Kosovën, nuk vlerësohen reformat tona, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohet fakti që ne jemi në përputhje 100 përqind me politikat e tyre dhe sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, dhe sa i përket politikave të tjera. Po ipet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë, sepse më shumë po hapet dera për ata që po shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër përpos BE-së. Më shumë kemi kërkesë sesa kemi shpresë, kërkesat tona do të jenë të zëshme jo për shkak të ndonjë arrogance politike, por për shkak se e meritojmë dhe ne kërkojmë që ky proces të jetë i bazuar në merita”, tha Osmani.
Presidentja Osmani po ashtu përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili ende nuk është shqyrtuar nga ana e Bashkimit Evropian. Ajo tha se duhet të ketë veprime konkrete në këtë drejtim.
Për dialogun me Serbinë, Osmani tha se Kosova është gjithmonë e gatshme për bisedime, por së pari presin heqjen e masave të BE-së.
“Më të rëndësishme sesa bisedimet me Derbinë janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Siç e dini Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para dy viteve dhe për fat të keq ky aplikacion akoma nuk është shqyrtuar nga BE-ja për shkak të disa komplikimeve të panevojshme politike të cilat krijohen nga disa shtete anëtarë. Meqenëse ky është edhe samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian dhe përveç fjalëve të duhura që jepen për shtetet aspiruese për anëtarësim të ketë veprime konkrete. Meqenëse ky Samit mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor është shumë me rëndësi të kemi rezultate konkrete veçanërisht për shtet si Kosova e cila është 100 përqind në linjë të plotë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë. Sa i përket dialogut me Serbinë, së pari duhet të presim për heqjen e masave ndaj Kosovës. Kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës së organizuar nga ana e BE-së, këtë do ta kërkoj edhe sot sepse kjo do ti jepte më shumë kredibilitet edhe BE-së, por Kosova është gjithmonë e gatshme dhe konstruktive që të marrë pjesë në këtë proces”, tha Osmani para mediave.