Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk ka pasur bisedime zyrtare mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje për trajtimin e migrantëve të paligjshëm që përpiqen të arrijnë në territorin britanik përmes Ballkanit Perëndimor.
Duke komentuar raportimet për bisedime të mundshme mes Britanisë dhe vendeve të rajonit për të frenuar rrjedhën e emigrantëve nga Azia dhe Afrika, Osmani për së Sky News u shpreh qartë se “nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare apo diskutim konkret me qeverinë britanike”
Megjithatë, ajo theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të diskutuar një çështje të tillë nëse një kërkesë formale do të bëhej në të ardhmen.
“Do të ishim të hapur për ta diskutuar, megjithatë nuk mund të them më shumë se kaq sepse nuk i di detajet”, deklaroi ajo, duke nënvizuar se nuk mund të japë një qëndrim për një kërkesë që nuk ekziston ende.
Presidentja Osmani vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e forta me Mbretërinë e Bashkuar, të cilën e quajti një “aleat të qëndrueshëm”.