Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar disa takime gjatë qëndrimit të saj në Paris, ku ndër ta edhe me miliarderin Elon Musk.
Takimi, i cili u zhvillua në kuadër të rihapjes së katedrales ikonike, Notre-Dame, përfshiu diskutime për çështje kyçe, si efikasiteti dhe efektiviteti i qeverisë, si dhe përpjekjet për të luftuar dezinformimin.
Në një postim në platformën X, Osmani ka ndarë detaje nga takimi, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit të popullit në çdo veprim të qeverisë.
“Në Paris. Një bisedë e madhe për efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit gjithmonë të vullnetit të popullit”, ka shkruar Osmani në X.
Gjatë vizitës së saj në Paris, Osmani ka takuar gjithashtu presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, dhe një numër të madh personalitetesh të njohura ndërkombëtare, duke shfrytëzuar mundësinë për të promovuar kauzat e Kosovës në skenën globale.