Sot, në orët e mbrëmjes, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati. Qëllimi i vizitës ishte njoftimi i drejtpërdrejtë me gjendjen e krijuar nga reshjet e fundit dhe sfidat me të cilat po përballet Komuna e Malishevës.
Pas takimit, presidentja Osmani dhe kryetari Kastrati vizituan digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.
Vjosa Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe të gjitha ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidarizimin e plotë me qytetarët dhe institucionet lokale. Ajo theksoi se, pavarësisht situatës së vështirë, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet.
“Bashkë gjithmonë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar, gjë që e lehtëson marrjen e masave nga të gjitha nivelet”, tha Presidentja Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës në përballimin e situatës, citohet ajo në komunikatë.
Kryetari Ekrem Kastrati, pasi e falënderoi presidenten për vizitën, e informoi atë për situatën aktuale, masat e ndërmarra për menaxhimin e saj, si dhe për rreziqet potenciale me të cilat është përballur komuna. Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent, se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe sa komuna ju ka dalë në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.
“Kemi monitoruar vazhdimisht digën e Liqenit të Mirushës, për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndonjë avari”. Po ashtu, kryetari Kastrati, e ka informuar presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani.
Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.
Osmani, gjatë ditës ka vizituar edhe Gjakovën pas vërshimeve të ditëve të fundit, ku ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka vlerësuar angazhimin institucional për menaxhimin e situatës.






