Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka vlerësuar avancimin e Aktit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm drejt adresimit të diskriminimit sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi.
Sipas saj, autoritetet e Serbisë kanë ushtruar shkelje të vazhdueshme të të drejtave të pakicave, përfshirë pasivizimin administrativ të adresave, kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe presionin institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Osmani ka theksuar se avancimi i këtij akti ligjor dërgon një mesazh të qartë se shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mbeten pa vëmendje në arenën ndërkombëtare. Ajo ka përshëndetur mbështetjen dypartiake në Kongresin amerikan dhe ka vlerësuar rolin e përfaqësuesve që kontribuuan në procedimin e aktit në komision.
Presidentja e Kosovës ka shprehur mirënjohje për angazhimin e përfaqësuesve amerikanë që iniciuan dhe mbështetën këtë nismë ligjore, si dhe për organizatat e diasporës shqiptare që, sipas saj, kanë ndihmuar në sensibilizimin e politikëbërësve amerikanë lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.






