Kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani ka deklaruar se gjatë mandatit të tij, prioritet do ta ketë arsimin dhe shëndetësinë.
Sipas Osmanit, Fushë-Kosova është një komunë e cila ka rritje të mëdha të nxënësve që vijnë të jetojnë në këtë vend së bashku me prindërit e tyre.
Kurse, sa i përket shëndetësisë, Osmani garantoi resurse të mjaftueshme, humane e teknike për qytetarët e kësaj komune.
“Synimi im është të fitojë mandatin si kryetar i Komunës së Fushë-Kosovës dhe së bashku me ekipin po punojmë në pjesën më të rëndësishme po diskutojmë me qytetarët se si i shohim ata nevojat e komunës për mandatin e ardhshëm dhe cilat janë kërkesat më të rëndësishme të tyre edhe në planin afatshkurtër edhe afatgjatë. Prioritet vazhdojmë ta mbajmë arsimin sepse komuna e Fushë-Kosovës ka sot rritje të mëdha të nxënësve që vijnë të jetojnë në Fushë-Kosovë së bashku me prindërit e tyre, ne kemi rreth 400 nxënës në vit që i shtohen komunës sonë, prandaj do të mbetet prioritet arsimi. Shëndetësia është e rëndësishme pasi komuna është një qytet shumë i madh dhe ne do të sigurohemi që kemi shumë resurse të mjaftueshme, edhe humane edhe teknike që të iu ofrojmë shëndetin publik të nivelit të parë me kualitet shumë të madh”, ka deklaruar Osmani në emisionin “Ditari” në tëvë1.