Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se me lejen e tij është bërë sulmi terrorist në Bansjkë të Zveçanit.
Osmani në mediumin publik, RTK, tha se armatimi i konfiskuar nga terroristët, ka qenë i mjaftueshëm për 400 persona.
Ky armatim sipas saj ka qenë i prodhuar nga industria ushtarake e Serbisë, gjë që dëshmon “involvimin e shtetit dhe ushtrisë së Serbisë në sulmin terrorist në Kosovë”.
“Secili veprim I Vuciqit, e ka konfirmuar involvimin direkt të tij dhe strukturave të Serbisë në sulmin kundër Kosovës. Ata fare nuk e kanë dënuar këtë krim, e deri te fakti që I kanë mbuluar e arsyetuar këto veprime, pastaj kemi informata se po I mbajnë në mbrojtje shumë nga terroristët që kanë marrë pjesë. Lista Serbe është krijim i Vuçiqit, ai vazhdon ta destabilizojë Kosovën, kur nënkryetari i Listës është I angazhuar në këtë sulm, të gjitha këto I bashkohen faktet që trajnimet kanë ndodhur nga uhstria serbe, në kampe ushtarake, armatimi është prodhim I industrisë ushtarake Serbisë, është prodhuar vitet të fundit, ka armatim të prodhuar në vitin 2023.
Involvimi ka qenë direkt, këtë nuk po e fsheh Vuçiqi… Plani ka qenë shumë më i madh, ka qenë për sulm të përmasave të mëdha, armatimi që është zënë ka qenë armatim për 400 persona, jo për dhjetra si kanë hyrë në fillim. Kjo tregon që Policia e Kosovës, AKI, kanë bërë punë të shkëlqyeshme në parandalimin e një sulmi më të madhe”, ka thënë ajo.
Osmani theksoi se ky plan ishte organizuar që moti nga Serbia dhe kishte për qëllim ta destabilizonte Kosovën dhe rajonin.
Osmani u shpreh se në Kosovë duhet të ketë unitet politik dhe të gjitha partitë politike të jenë në një zë në kundërshtim të veprimeve të Serbisë.