Aktori i njohur i humorit, Osman Azemi, ka ndarë një postim emocionues dhe plot humor në Instagram, duke reaguar për herë të parë pas aksidentit që e përfshiu disa kohë më parë.
Azemi ka publikuar disa fotografi nga procesi i rehabilitimit në spital, ndërsa ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën gjatë kësaj periudhe të vështirë. Në postimin e tij, ai shkruan: “Pas aksidentit që më nxori pak jashtë skenës (jo nga roli, po nga rruga 🙂 ), dua t’ju falënderoj për kujdesin, dashamirësinë dhe të gjitha mesazhet që më kanë ngrohur zemrën”.
Aktori shprehu gjithashtu falënderim të veçantë për institucionin shëndetësor Avicena, i cili ofroi kujdes të jashtëzakonshëm gjatë periudhës së rehabilitimit në kushte shtëpie. Ai theksoi se profesionalizmi dhe përkushtimi i mjekëve e kanë ndihmuar atë të rikuperohet më shpejt dhe me besim.

“Tani di të dalloj termometrin nga telekomanda (edhe pse ende e ngatërroj herë pas here”, shkroi aktori i komedisë.
Përkundër periudhës së vështirë që po kalon, Azemi siguron fansat se shëndeti po përmirësohet çdo ditë, dhe gjithashtu theksoi me humor se humori i tij nuk ka ikur kurrë. “Mos u shqetësoni, s’kam ndërruar zhanrin – akoma s’kam kaluar në dramë!”, shtoi ai.
Reagimet nga fansat dhe kolegët kanë qenë të shumta, me shumë mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim të shpejtë, ndërkohë që Osman Azemi vazhdon të mbetet një figurë e dashur për publikun shqiptar, duke u rikthyer më i fortë se kurrë në jetën artistike.