21.7 C
New York
Friday, June 27, 2025

Buy now

ORCA publikon raportin e monitorimit të Qendrës NARIC për vitin 2024: U njohën 720 diploma të huaja

- Advertisement -

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) publikoi raportin e monitorimit të Qendrës Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC) për vitin 2024, raporton Ekonomia Online.

Sipas raportit të prezantuar nga koordinatorja Liridona Ademi, gjatë vitit 2024 janë njohur gjithsej 720 diploma të huaja, ku shumica vinin nga Maqedonia e Veriut (289 diploma), ndjekur nga Shqipëria (115). Ndërkohë, janë refuzuar gjashtë diploma: tri nga Serbia, dy nga Shqipëria dhe një nga Kanadaja.

“Sot do ta prezantojë gjetjet e raportit të monitorimit të qendrës për njohje të diplomave gjatë vitit 2024. Gjithsej 720 diploma janë njohur nga qendra NARIC; 3 diploma nuk janë njohur: dy janë nga Shqipëria dhe një nga Kanadaja; tri diploma të tjera që kanë pasur origjinë nga Serbia nuk janë njohur dhe një diplomë nga SHBA-të është njohur. Maqedonia e Veriut është shteti me më së shumti diploma të cilat janë njohur në Kosovë 289 diploma, apo 40 për qind e të gjitha diplomave të njohura në vitin 2024 i takojnë këtij vendi. Shqipëria është shteti i dytë me më së shumti diploma të njohura në Kosovë me 115 diploma apo 16 për qind të totalit.

Më së shumti doktorata të njohura kanë qenë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, 72 sosh, apo 49 për qind të doktoratave. Pra, 28 për qind të diplomave të vitit 2024 janë nga fusha e shkencave të mjekësisë dhe sportit, 15 për qind janë nga shkencat sociale, edukimi dhe humane dhe 11 për qind janë nga ekonomia”, tha Ademi.

Në të njëjtin vit, NARIC ka verifikuar gjithashtu 4,188 diploma të fituara brenda Kosovës për qëllime të përdorimit jashtë vendit. Sfida kryesore e qendrës mbetet mungesa e stafit dhe digjitalizimit, çka ndikon në zgjatjen e afateve të përpunimit të kërkesave.
Po ashtu, mungesa e akreditimit të disa programeve arsimore vazhdon të jetë ndër arsyet kryesore të mosnjohjes së diplomave.

“Kur jemi te verifikimi, rezulton që 4,188 diploma të fituara në institucionet arsimore brenda Kosovës janë verifikuar nga qendra NARIC në vitin 2024. Për krahasim, në vitin 2023 NARIC kishte verifikuar 3,212 diploma dhe në vitin 2022 kishte verifikuar 4,032.

Pra, del që pothuajse çdo vit numri i personave që aplikojnë për emigrim akademik dhe profesional është mbi katër mijë. Shumica e sfidave, me të cilat është përballur qendra NARIC në vitin 2024, janë të njëjta me ato të viteve të mëparshme. Një nga sfidat kryesore është personeli i pamjaftueshëm. Qendra vazhdon të përballet me mungesë stafit për procesimin e kërkesave për njohje dhe verifikim. Kjo, natyrisht, ndikon në rritjen e kohës së pritjes për një vendim nga qendra, gjë që penalizon profesionistët që varen nga vendimet e kësaj qendre për shkollim apo punësim brenda apo jashtë vendit. Sfidë tjetër janë programet e paakredituara.

Kjo vazhdon të jetë një nga arsyet kryesore që palët të mos marrin njohje apo verifikim të diplomave të tyre si pasojë e mungesës së akreditimit të institucioneve apo programeve, ku ata i kanë kryer studimet. Po ashtu, sfidë tjetër është mungesa e bazës së të dhënave, pra mungesa e digjitalizimit, e cila ndikon në procesin për njohje dhe verifikim,” shtoi ajo.

Udhëheqësja e Qendrës Kombëtare për informim akademik, Kumrie Gagica, theksoi rëndësinë në rritje të informimit akademik dhe verifikimit të diplomave për të mundësuar vazhdimin e studimeve apo punësimin jashtë vendit.

“Në publik është e njohur vetëm njohja e diplomave të fituara jashtë Kosovës, ndërkaq komponenti i validimit, verifikimit të diplomave të fituara në Kosovë për qëllim të përdorimit të asaj diplome jashtë Kosovës, është një komponent që shpeshherë nuk duket në publik dhe shënon një numër shumë të madh: vitet e fundit mbi katër mijë diploma, ku të gjithë të diplomuarit vazhdojnë, qoftë për punësim, qoftë për vazhdim studimesh jashtë Kosovës. Është e rëndësishëm informimi akademik.

Çdo ditë e më shumë rëndësi i jepet kompetencës së programit të studimit, që vitin e kaluar kanë qenë rreth 500 kërkesa nga shtete të ndryshme dhe nga Kosova, ku më nuk është e rëndësishme vetëm nëse kemi diplomë dhe nëse është autentike, por njerëzve u intereson se ‘çka më tej’. Natyrisht sfidat janë probleme në nivel më të lartë shtetëror që besoj çdo ditë e më shumë po marrin zgjidhje”, përfundoi ajo.

Të ngjashme

Të fundit