Sipas kryeministrit hungarez, Viktor Orban, Rusia është shumë e dobët për të treguar një rrezik real kundrejt aleancës së NATO-s. Kjo, sepse sipas tij, pala ruse nuk pushtoi dot as Ukrainën, e jo më të kërcënojë NATO-n.
Kështu u shpreh Orban rreth zhvillimeve të fundit, duke cituar: “Rusët janë shumë të dobët për këtë. Ata as nuk mund të mundin Ukrainën. Rusia nuk paraqet asnjë rrezik të vërtetë ushtarak kundrejt vendeve të NATO-s”.
E gjitha vjen teksa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kërkoi një “rritje prej 400%” të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe raketore të aleancës transatlantike në përgjigje të kërcënimit nga Rusia.
“Ne shohim në Ukrainë se si Rusia shpërndan terror nga lart, kështu që do të forcojmë mburojën që mbron qiellin tonë”, do të thoshte Rutte në një fjalim në organizatën kërkimore Chatham House në Londër, sipas komenteve të cituara në një deklaratë.
Për të ruajtur frenimin dhe mbrojtjen e besueshme, ai do të thoshte se NATO-s i duhet “një rritje prej 400% të mbrojtjes ajrore dhe raketore”.
Komentet e tij vijnë përpara një samiti të NATO-s në Holandë këtë muaj, ku Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po u bën presion anëtarëve të aleancës për të njoftuar një rritje të madhe në buxhetet e tyre ushtarake.
Trump po i shtyn anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në pesë për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB), nga objektivi aktual prej dy për qind.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Pete Hegseth, tha javën e kaluar në Bruksel se aleatët ishin pranë një marrëveshjeje mbi objektivin prej pesë për qind, i cili mund të formalizohej në samitin në Hagë.
Anëtarët e NATO-s janë përpjekur të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt 2022.
“Rreziku nuk do të zhduket as kur të mbarojë lufta në Ukrainë”, tha Rutte.
“Ne kemi nevojë për një hap të madh në mbrojtjen tonë kolektive… Duhet të kemi më shumë forca dhe aftësi për të zbatuar plotësisht planet tona mbrojtëse”.
“Ushtritë tona gjithashtu kanë nevojë për mijëra automjete dhe tanke të tjera të blinduara, miliona predha artilerie të tjera”.
Rutte do të vizitojë Londrën javën e ardhshme, ku pritet të mirëpresë strategjinë e re të mbrojtjes së Britanisë.
Britania njoftoi plane javën e kaluar për të ndërtuar deri në 12 nëndetëse sulmuese me energji bërthamore dhe gjashtë fabrika municionesh për të riarmatosur vendin në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.