Perëndimi optimist për takimin e 27 shkurtit në Bruksel teksa në Prishtinë kanë refuzuar ta komentojnë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar pyetjet lidhur me planin evropian gjatë një konference duke e quajtur të padenjë. Ndërkaq, Emisari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka thënë se plani evropian nuk do të ketë mundësi për ndryshime dhe shpresat janë të mëdha për epilog pozitiv.
Pyetjeve lidhur me takimet në Bruksel ka refuzuar sërish t’i përgjigjet zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Në një konferencë për media së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szyunog, Bislimi tha se është e padenjë të përgjigjet aty në pyetjet për planin evropian dhe takimin e 27 shkurtit.
Szyunog tha se BE-ja pret që Kosova e Serbia ta pranojnë propozimin evropian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime se si të zbatohet ajo.
“Ajo që është e nevojshme të thuhet, është thënë nga Lajçaku. Dukshëm presim që të dyja palët të pranojnë propozimin evropian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime se si të zbatohet ajo. Është shumë e qartë dhe kjo nuk është informatë e re që ne kemi besuar që për të dy palët marrëveshja e dialogut është shumë e rëndësishme për integrimin evropian”, tha Tomas Szyunog – Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian.
E ky takim, për herë të parë do t’i kushtohet propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, plan i cili nuk do të jetë i kontestueshëm për ndryshime nga palët.
Kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Kam pasur disa takime me të dy liderët, ndarazi. Ata janë të njohur me propozimin, sigurisht, për secilin detaj. Ata e kanë dëgjuar mjaft qartë se çka pritet, çka Bashkimi Evropian pret prej tyre, dhe, po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse SHBA-ja përkrah shumë fuqishëm këtë propozim. Ne presim që, pikë së pari, të dy liderët zyrtarisht dhe publikisht ta pranojnë propozimin dhe më pas mund të angazhohemi në në zbatimin e tij, për t’u siguruar se gjithçka e pritshme është po ashtu edhe e zbatueshme. Kjo është çka presim nga takimi i së hënës. Çka do të jetë në agjendë është propozimi. Dhe, propozimi përmban nivelin e përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Dhe, gjëra të tjera”, deklaori Miroslav Lajçak – Emisari i Posaçëm i BE-së për dialogun.
Ndryshe, nga zyra e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell është publikuar agjenda e takimit të 27 shkurtit, ku parashihet se kreu i politikës së jashtme do të zhvillojë fillimisht takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, e më pas, do të mbahet takimi i përbashkët me dy liderët. /Gazeta10/