Mithat Sancar, një politikan i opozitës turke, falënderoi ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, për kritikat e saj të hapura ndaj qeverisë së Erdoganit, gjatë një vizite në vend.
Baerbock kritikoi administratën e Rexhep Tajip Erdogan për të drejtat e njeriut, goditjet ndaj kundërshtarëve dhe një operacion të planifikuar ushtarak në Sirinë veriore.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi në Stamboll dhe më parë në Athinë, ajo gjithashtu mori anën e Greqisë në një mosmarrëveshje territoriale mbi disa ishuj në detin Egje.
Sancar, bashkëkryetarja e partisë opozitare pro-kurde HDP, përgëzoi Baerbock, duke thënë se ajo nuk e kishte shmangur konfrontimin e nevojshëm gjatë bisedimeve me homologun e saj turk.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Gjermania e kishte humbur neutralitetin e saj si ndërmjetës në mosmarrëveshjen territoriale me Greqinë, që nga largimi i ish-kancelares Angela Merkel.
Dyshja u konfrontuan gjithashtu për konfliktin sirian dhe burgosjen e filantropit turk, Osman Kavala.
Sot, Baerbock u takua me krerët e HDP-së, Partisë Popullore Republikane, më e madhe opozitare dhe Partinë nacionaliste konservatore Iyi.
Më pas ajo takoi tre përfaqësuesit e opozitës dhe vizitoi një qendër këshillimi për gratë që vuajnë nga dhuna në familje. Ajo gjithashtu do të vizitojë një qendër për refugjatët nga Siria dhe Iraku.
Nën udhëheqjen e Erdoganit, Turqia është sulmuar vazhdimisht për minimin e të drejtave themelore njerëzore dhe demokratike, raporton DW.
Turqia do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale vitin e ardhshëm dhe partitë opozitare të vendit besojnë se kanë shansin më të madh deri më tani për të arritur një shumicë parlamentare, gjatë pushtetit 19-vjeçar të Erdoganit.
Sondazhet aktuale tregojnë se AKP-ja konservatore islamike e presidentit do ta ketë të vështirë ta mbajë pushtetin, pjesërisht për shkak të krizës ekonomike dhe valutore të vendit.