Serbia po vazhdon të përballet me protestat opozitare ku po kundërshtohet rezultati zgjedhor. Koalicioni më i madh opozitar “Serbia Kundër Dhunës” pritet t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet.
Opozita në Serbi nuk heq dorë nga kërkesat për anulimin e zgjedhjeve, duke akuzuar qeverinë e Aleksandër Vuçiqit për vjedhje elektorale. Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet.
“Kjo është instancë e fundit ligjore dhe mënyra më adekuate, sepse kemi përdorur të gjithë mekanizmat e disponueshëm më parë. Kjo është një mënyrë për të kërkuar përgjigje dhe nuk e dimë se si do ta gjykojë Gjykata Kushtetuese”, shprehet Bilana Gjorgjeviq, Serbia kundër dhunës.
Parregullsi të shumta në zgjedhje të 17 dhjetorit ishin keqpërdorimi i fondeve publike, presione, dominimi medial i presidentit Vuçiq, por si fenomen i veçantë ishte ardhja e mijëra votuesve nga rajoni për të votuar partinë e Vuçiqit. Lidhur me këtë Parlamenti Evropian kritikoi ashpër regjimin në Serbi, ndërsa është kërkuar edhe një hetim mbi akuzat për mashtrim në zgjedhjet në Serbi.
Opozita ka përshëndetur që çështja e vjedhjes se zgjedhjeve është bërë temë në Bashkimin Evropian, pasi siç thonë ata, zgjedhjet konfirmuan se në Serbi nuk ka demokraci.
“Demokracia është pezulluar prej vitesh, Serbia cilësohet si regjim hibrid. Por ne nuk po dorëzohemi dhe shihet se rezultatet e opozitës janë më të mira pa marrë parasysh parregullsitë e shumta. Nuk jemi të kënaqur sepse zgjedhjet janë vjedhur, por nuk po heqim dorë nga lufta për demokraci”, tha Bilana Gjorgjeviq, Serbia kundër dhunës.
Opozita ka njoftuar se do të vazhdojë me protestat në të cilat do të kërkojë zgjedhje të reja, dhe mbi të gjitha ndryshimin e kushteve zgjedhore që të mos përsëritet vjedhja e votave.