Deputetë e zyrtarë të lartë politik nga opozita po kritikojnë veprimet e qeverisë në pjesën veriore të vendit. Nga PDK e shohin të domosdoshme kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, gjatë mandatit katër vjeçar vëmendje të madhe i ka kushtuar pjesës veriore të vendit.
Kryeministri i vendit, ka deklaruar vazhdimisht se qeveria po përpiqet të vendosë rend e ligj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Mirëpo ne disa raste qeveria është kritikuar për aksionet e saj në veri nga komuniteti ndërkombëtar, që i ka cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara nga ekzekutivi.
E as nga opozita nuk po pajtohen që qeveria Kurti ka arritur ta shtrij sovranitetin e plotë në atë pjesë të vendit.
Nënkryteari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se veprimet e Kurtit në veri nxitën bojkotin serbëve ndaj institucioneve të Kosovës.
“Nuk po flasim për asnjë lloj arritje në shtrimin e sovranitetit. Mund të flasim vetëm për një prezencë më të shtuar të njësiteve policore dhe të sundimit të ligjit. Mos të harrojmë që kjo situatë e re që është krijuar nga z.Kurti në veri nxiti bojkotin institucional të serbëve”, Haziri.
Deputeti tjetër opozitar, Hisen Berisha, vlerëson se situata e sigurisë në katër komunat veriore vazhdon të jetë e brishtë edhe se sipas tij qeveria Kurti nuk po e tregon të vërtetën.
Ai e sheh si të domosdoshme kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Në veri ka zbatim të ligjit por nuk ka sundim të ligjit sepse po të kishte sundim të ligjit qytetarët serb do të ishin pjesë e institucioneve të Kosovës. Këta flasin për siguri kur në objektin e komunave ruajnë njësitet speciale të Kosovës, kjo është qesharake”, tha Berisha.
Se situata e sigurisë është e ndjeshme ne veriun e Kosovës e dëshmoi edhe sulmi i fundit në kanalin e Ibër-Lepencit në komunën e Zubin Potokut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se e ka orkestruar sulmin terrorist që sipas tij ka pasur për synim ta dëmtojë infrastrukturën më kritike të vendit. /Teve1/