I zoti i saj e braktisi 3 muaj më parë.
E që nga ajo kohë, kjo veturë barti vetëm ushtrues detyre.
Kjo pasi Rifat Latifi dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë me 6 tetor të këtij viti.
E tani kur kanë kaluar afër 3 muaj nga kjo, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka emëruar ministrin e ri të shëndetësisë.
Për krejt këtë, opozita e ka një thënie.
“Është një thënie e vjetër, thotë “Kur nuk ka maçorr, minjtë hedhin valle…” kjo është duke ndodhur në shëndetësi….Kjo do duhej të ishte një apel që kryeministri ta funksionalizojë këtë ministri dhe ta emëroj ministrin”, tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Ndërkohë, mos emërimin e një ministri për afër 80 ditë, deputeti nga Partia Demokratike e Kosvës, Bekim Haxhiu, e quan papërgjegjësi të qeverisë së Kosovës.
“Kjo situatë po keqpërdoret nga menaxherët dhe të tjerët, kur nuk ka llogaridhënie nuk ka përgjegjësi, çdokush përbrenda shikon si me plaçkit diçka për vete edhe me i fsheh gjurmët e krimeve dhe skandaleve”, deklaroi Haxhiu.
E gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, thotë se gjendja e shëndetësisë në vend, nuk ka qenë asnjëherë më keq.
“E kemi ministrinë me një UD, e kemi SHSKUK-në me UD, kemi zyrtarë që nuk marrin përgjegjësi as për skandalet as për punët që duhet t’i kryej. Kësisoj duke qenë pa ministër të shëndetësisë që e bartë krejt përgjegjësinë e kësaj situate”, theksoi Vitia.
Rifat Latifi ishte ministri i dytë i shëndetësisë në Qeverinë Kurti 2.
Para tij, edhe Arben Vitia e braktisi këtë dikaster për pozitën e të parit të Prishtinës. /Tëvë1/